E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa për emigrantët me rastin e Pashkëve, shtohen sportelet në Kapshticë

Policia kufitare shton sportelet në Kapshticë në pritje të emigrantëve. Festa e Pashkëve ortodokse e cila mbahet në muajin prill ka vënë në lëvizje strukturat e policisë në pikën kufitare të Kapshticë për të marrë masa paraprake. Gjatë kësaj fundjave janë shtuar sportelet për hyrjet nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Do të jenë gjithsej gjashtë sportele nga vetëm një që ka aktualisht që do të vihen në punë gjatë nisjes së fluksit të emigrantëve. Duke iu referuar burimeve zyrtare nga kjo pikë kalimi pritet që nga ditët para të muajit të ri të nisin dhe hyrjet e emigrantëve të parë, ndonëse festa është në 19 prill. Kështu masat e marra do të krijojnë lehtësira të të gjithë shtetasve shqiptarë në kalimet ndërkufitare nga njëra anë e kufirit në tjetrën. Por gjithashtu pala shqiptare ka marrë dhe një takim me homologët greke për të evidentuar një bashkëpunim dy palësh për të evituar radhët e gjata dhe kilometrike që shfaqen në kufi sa herë që emigrantët vijnë me rastin e festave të ndryshme në atdhe si në tokën greke ashtu dhe në atë shqiptare. Pritet që gjatë muajit prill të hyjnë rreth 100 mijë emigrantë me rastin e festës së Pashkëve, ndaj dhe policia e kufitare pranë pikës kufitare të Kapshticës e ka parë të udhës të organizojë shumë më herët punën për të patur situatën nën kontroll të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›