E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet britanike, sponsor personal për studentët ekstrakomunitarë

 

Studimet, Britania e Madhe, në muajin mars, kalon në fuqi regjimin e ri për studentët që aplikojnë jashtë Komunitetit Evropian

Ligji është kundërshtuar nga akademikët, por është përkrahur nga drejtues të qeverisë britanike

Mbretëria e Bashkuar do të vendosë në vitin 2009 regjim të ri aplikimi për studentët me rezidencë jashtë Komunitetit Evropian, që kërkojnë të ndjekin studimet në universitetet britanike. Duke nisur nga muaji mars i vitit të ardhshëm, individët, të cilët paraqesin kërkesë për të kryer studimet në universitetet britanike, nuk do të kenë garanci vetëm kursimet vetjake. Ata do të duhet, medoemos, të kenë si garant për të ndjekur më tej studimet, sponsor personal, i cili do të përzgjidhet nga universitetet dhe kolegjet e licensuara në ishull. Bazuar mbi regjimin e ri, roli i sponsorit do të jetë ai i menaxhuesit të studentit gjatë gjithë ecurisë së tij shkollore. Me anë të relacioneve të vazhdueshme, sponsori do të tregojë me fakte ecurinë e arsimimit të studentit. Ai ka për detyrë të paraqesë kërkesë për një kurs që plotëson nivel minimal kualifikimi. Njëkohësisht, krahas ofrimit të gjurmëve të gishtërinjve, sponsori duhet të tregojë se është në gjendje të mbajë financiarisht vetveten dhe secilin prej personave në ngarkim. Në të njëjtën kohë, universitetet dhe kolegjet që rekrutojnë studentët jashtë kufijve të Komunitetit Evropian, do të duhet të marrin licencë për rekrutimin e studentëve nga Agjencia e Kufirit-MB (UKBA), si edhe të kenë përgjegjësi për studentët e huaj të tyre dhe të sigurojnë se ata janë tërësisht të ndërgjegjshëm për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga të qenit sponsorë. Për të paraqitur kërkesë për licencë, këto ofrues arsimorë, duhet të paraqesin prova se zotërojnë akreditime të vlefshme nga një organ akreditimi, i miratuar nga UKBA-ja dhe po kështu duhet të tregojnë se kanë kaluar me sukses një inspektim nga Zyra e Standardeve në Arsim (OFSTED). Çdo institucion arsimor që dëshiron të përfshihet në regjistrin e sponsorëve, duhet të sigurohet se kërkesa e tyre të jetë e përfunduar para muajit mars 2009. Në fakt, dispozita e fundit nuk është përkrahur nga akademikët në Britaninë e Madhe. Ata kanë reaguar ashpër, ku përmes një letre të hapur të quajtur“Akademikët nuk janë punonjës të imigrimit”, kanë denoncuar rolin e tyre të “inteligjencës” në sistemin e ri. “Mbikëqyrja, e ngjashme me atë policore, nuk është funksion i universiteteve”,- pretendojnë akademikët.

Deklarata

Deivid Lemi, ministër i Arsimit të Lartë në MB, thotë se nuk do të tolerojë dëmtimin e nivelit arsimor ne vend

“Britania, nuk do të lejojë studentë mediokër”

Por, nuk mendojnë kështu hartuesit e sistemit të ri, të cilët shprehen se ky sistem ngrihet me qëllim frenimin e ardhjes së studentëve të rremë. Ministri i Kufirit dhe Imigrimit në Britaninë e Madhe, Fill Uollës, është një nga përkrahësit më të fuqishëm të regjimit të ri që do të ndiqen në universitete për pranimin e studentëve jashtë Komunitetit Evropian. “Ato që vijnë këtu, duhet të ‘luajnë sipas rregullave’ dhe t’i sjellin përfitim vendit”,- shprehet zoti Uollës. “Ky kanal i ri për studentët, do të sjellë sigurinë që ne të dimë saktësisht se cili po vjen këtu për të studiuar, si dhe të na mundësojë të ç’rrënjosim kolegjet e rremë, të cilët ndihmojnë, apo lehtësojnë ligjshkelësit”,- shton ai më tej. Në të njëjtën vijë është edhe ministri i Shtetit për Arsimin e Lartë, Deivid Lemi. Ai thotë se e mirëpret përfshirjen e sektorit në zhvillimin e këtij plani të zbatimit, i cili do të ndihmojë që të përvijohet një strukturë, e cila u mundëson studentëve ndërkombëtarë të përfitojnë nga përvoja e shkëlqyer arsimore e ofruar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë që u jep atyre mundësinë të punojnë në ishull për dy vjet pas diplomimit. “Sidoqoftë, ne nuk do të tolerojmë atë pakicë individësh që kërkojnë të dëmtojnë cilësinë e sistemit tonë arsimor, përmes kolegjeve të rremë. Ja përse futëm kontrolle më të rrepta mbi Regjistrin e Ofruesve të Arsimit dhe Formimit. Sistemi i ri do ta rreptësojë edhe më shumë procesin dhe do të të ofrojë më shumë mbrojtje ndajdëmit që mund të shkaktojnë kolegjet e rremë”.

Studentët, kushtet për të studiuar në Britani

Për të paraqitur kërkesë për vizë studentore,

një shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së,

duhet që të plotësojë këto kushte:

• Të ketë një sponsorizim nga ofrues të licencuar arsimorë;

• Të tregojë një ecuri të provueshme në arsimimin e tij;

• Të paraqesë kërkesë për një kurs, që plotëson një nivel minimal kualifikimi;

• Të jetë në gjendje të provojë se mund të mbajë financiarisht vetveten

dhe secilin prej personave në ngarkim

• Të ofrojë gjurmët e gishtërinjve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›