E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakër në Itali, 34-vjeçari vret ish-gruan dhe 3 të tjerë

BRESCIA – Një masakër e vërtetë, që ka si shkak xhelozinë, tronditi qytetin e Brescias në Itali. 34-vjeçari Mario Albanese ekzekutoi me armë zjarri ish- bashkëshorten e tij, të fejuarin e saj aktual dhe dy të rinj.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 3:30 në lagjen San Polo të Brescias, ku 34-vjeçari me profesion kamionist, i ka zënë pritë përpara shtëpisë ish-bashkëshortes së tij dhe të fejuarit të saj, duke i ekzekutuar me armë zjarri.

Më pas autori është ngjitur në shtëpinë e ish-gruas, ku jetonin 3 vajzat e tyre të vogla, 5, 7 dhe 10 vjeç, si dhe vajza 20 vjeçare që ish-gruaja e tij kishte pasur nga një tjetër martesë. Mbrëmë në shtëpi kishte fjetur edhe i dashuri i 20-vjeçares.

34-vjeçari ka hyrë në dhomën e vajzës dhe e ka vrarë në gjumë bashkë me të dashurin, por fatmirësisht ka kursyer jetën e vajzave të tij të vogla.

Sipas policisë, çifti ishte ndarë dy vjet më parë, ndërsa shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë xhelozia. Fqinjët tregojnë se Mario Albanese nuk e kishte pranuar kurrë që marrëdhënia e tyre kishte përfunduar dhe ishte përpjekur shpesh për ta rikthyer si më parë.

Pak minuta pas ngjarjes, policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, i cili ishte duke tentuar vetëvrasjen.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›