Mamografia në Tiranë, prej 3 muajsh jashtë funksionimit
Prej tre muajsh ka dalë jashtë funksionit dhe askush nuk kujtohet të vërë dorë për ta vënë në fund. Gratë nuk mund të kryejnë më mamografinë (ekzaminimin që zbulon kancerin e gjirit) në Poliklinikën Qendrore të Tiranës. Kjo, pasi mungojnë filmat që e mundësojnë atë. Deri në tetor ky shërbim është ofruar falas në sajë të projektit INTERREG 3 të financuar nga pala italiane. Pas mbylljes së tij, funksionoi vetëm disa javë me pagesë e më tej dhomës ky bëhet analiza iu vu dryni. Pjesa më e madhe e grave që i drejtohen poliklinikës janë të gatshme të paguajnë edhe tarifën reale për mamografinë, por përgjigjja e vetme që marrin është se ajo nuk funksionon. Ndërkaq, gjatë kohës kur ky shërbim ishte falas si pjesë e projektit u regjistruan rreth 11 mijë ekzaminime, 250 prej të cilave rezultuan me tumor. Veç ambulancës së madhe mamografia kryhet edhe në spitalin e Onkologjisë në QSUT. Por ajo i përket një teknologjie shumë të vjetër çka nuk këshillohet më as nga vetë mjekët specialistë. Kanceri i gjirit renditet i pari në listën e tumoreve tek femrat. Në vendin tonë, brenda një viti diagnostikohen 350-400 raste të reja me këtë lloj tumori. Më tepër prek moshat nga 40-45 e lartë, por vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i grave që u shfaqet kjo sëmundje në moshe të re. Kryerja e mamografisë pas moshës 40 vjeçare është mënyra më e mirë për kapjen në kohë të kancerit të gjirit. Ndërsa gratë në moshë më të re duhet ta kryejnë ekzaminimin vetëm me rekomandimin e specialistëve. Sipas specialistëve gati gjysma e kancereve të gjirit, që janë gjetur nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të hiqen lehtë, pa hequr gjithë gjirin dhe pa lënë shenjë. Megjithëse jo të gjitha kanceret që kapen nga mamografia janë të kurueshme, më tepër se 95% e grave janë gjallë dhe mirë edhe për shumë vjet pas kapjes dhe mjekimit të kancerit.