Masakër në premierën e filmit Batman në Colorado

Policia amerikane, e cituar nga radioja lokale “850 KOA”, ka deklaruar se rreth 50 persona kanë mbetur të plagosur në këtë ngjarje.
Ndërsa dëshmitarë të ndryshëm kanë deklaruar se një person, i cili në kokë kishte vendosur një maskë, ka hapur zjarr dhe ka hedhur disa objekte që ngjasonin me bomba gazi.
Mësohet se agjentët e policisë kanë ndaluar një person të dyshuar, por sipas burimeve të medieve, dyshohet mund të ketë më shumë se një vrasës. I ndaluari, raportojnë mediat, u ka thënë agjentëve se ka sasi të mëdha eksplozivi në apartamentin e tij.
Ndërkohë, një dëshmitar ka thënë për kanalin 9News se gjatë një skene të shtënash të filmit, ai dëgjoi të shtëna të fuqishme dhe pa të dilte tym, duke menduar se ishin efekte speciale. “Plumbat erdhën nga muri i sallës ngjitur”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa një tjetër person, i cituar nga CNN ka deklaruar: “Një tip ngjiti me ngadalë shkallët duke hapur zjarr ndaj njerëzve që i dilnin përpara”.
Frank Fania, nga departamenti i policisë së Aurorës, zona ku ka ndodhur ngjarja, ka deklaruar se i dyshuari është një djalë i ri dhe ka shtuar se, ndonëse nuk mund të japë moshën e saktë të tij, ai duket rreth të njëzetave.
Ndërkohë, FBI ka deklaruar se po bashkëpunon me policinë lokale, se hetimet janë ende në fazat fillestare, por deri tani nuk ka të dhëna për një sulm terrorist.