Masakër për pronat, vriten tre nga një familje, plagosen dy
Kryefamiljari Shaqir Barçi, gruaja dhe djali 30-vjeçar kanë mbetur të vdekur në fshatin Frankth të Matit, pas një sulmi me armë për një konflikt pronësie ose hakmarrjeje të vjetër
Burrel- Tre pjesëtarë të familjes Barçi në fshatin Frankth të komunës Komsi në rrethin e Matit janë vrarë me armë zjarri mbrëmë pranë banesës së tyre, ndërsa kanë mbetur të plagosur dy djem të tjerë të kësaj familjeje.
Sipas policisë, ngjarja kriminale ka ndodhur për motive pronësie. Burime të rezervuara policore thanë dje në mbrëmje se si pasojë e një sulmi me armë kanë mbetur të vrarë Shaqir Barci, bashkëshortja e tij dhe njëri nga djemtë e kësaj familjeje. Po sipas të njëjtave burime, kjo familje ishte përfshirë në konflikt me një familje tjetër për çështje pronësie. Konflikti për tokën kishte mbërritur më parë edhe në Komisariatin e Policisë Mat dhe Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por pa u zgjidhur. Familja Barçi, sipas policisë, ka pasur përplasje me një tjetër familje të fshatit për vijën e ujit që përdoret për vaditjen e tokave. Por nga ana tjetër, për shkak të përmasave tragjike të ngjarjes ku mbetën tre të vrarë dhe dy të plagosur, policia po heton edhe një pistë tjetër, atë të një hakmarrjeje të vjetër. Banorë të fshatit Frankth, i thanë policisë se gjashtë vite më parë është vrarë me armë zjarri një shtetas në këtë fshat dhe familja e viktimës ka akuzuar familjen Barci për krimin e kryer. Blutë e komisariatit të Matit që nga dje në mbrëmje janë duke ndjekur edhe këtë pistë, pasi të afërmit e të vrarit vite më parë kishin deklaruar se do të merrnin hak.
Shaqir Barçi, kryefamiljari që mbeti dje i vrarë ishte 56 vjeç, bashkëshortja e tij 51 vjeç dhe djali i tyre 31 vjeç. Agresorët kanë plagosur gjithashtu dy djemtë e tjerë të familjes, Gëzim Barçi dhe Halit Barçi. Dy të plagosurit janë dërguar me shpejtësi në spitalin e qytetit të Burrelit dhe më pastaj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Efektivë të policisë lokale dhe prokurorë të Matit kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Sipas policisë, ngjarja nuk është zbardhur ende dhe nuk dihen autorët e këtij krimi të rëndë.
P. HASA