E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakët kërcënojnë 3 banesa, arrestohen 6 zjarrvënës

Nëndrejtori i policisë së Qarkut, Adriatik Tafçiu, ka pohuar se ka pasur 10 raste të zjarrvënies së qëllimshme, për të cilat janë arrestuar 6 persona

Një tjetër vatër zjarri është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës pasditen e së dielës. Mësohet se zjarri ka rënë në fshatin Peshkëpi e Poshtme, ndërsa 3 banesa janë të rrethuara nga flakët. Zjarri ka përfshirë disa kullota, si dhe ka djegur një stan bagëtish. Vetë banorët janë përpjekur të shuajnë flakët, por pa mundur të bëjnë gjë. Dy zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve Edhe gjatë ditës së diel në Qarkun e Gjirokastrës kanë vijuar vatrat problematike të zjarreve. Gjatë orëve të mesditës zjarret masive janë shfaqur në zonën e Dropullit pranë fshatrave Glinë dhe Peshkëpi. Sipas banorëve të këtyre zonave, zjarret janë shfaqur fillimisht në sipërfaqet kullosore të këtyre fshatrave dhe të ndihmuara nga era dhe terreni i thatë janë afruar fare pranë shtëpive të banimit. Me problematike ka qenë vatra e zjarrit në fshatin Peshkëpi, ku flakët kanë shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme me vreshta si dhe disa stane të vogla bagëtish. Madje për shuarjen e këtij zjarri banorët kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe repartit zjarrfikës. Me problematike është bërë situata rreth orës 19.00 të së dielës kur flakët janë afruar në pjesën veriore të fshatit duke rrezikuar të dëmtojnë edhe pesë banesa. Efektivat zjarrfikës, ato të policisë si dhe banorët e zonës po punojnë për shuarjen e këtij zjarri dhe evitimin e dëmeve materiale që mund të shkaktojnë flakët.

Edhe efektivat e policisë së Qarkut të Gjirokastrës gjatë kësaj vere kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për shuarjen e vatrave të zjarrit. Krahas përfshirjes direkt në terren për minimizimin e dëmeve që mund të shkaktonin flakët e zjarreve, efektivat blu kanë zhvilluar edhe një veprimtari intensive për zbardhjen e shkaqeve të këtyre zjarreve dhe vendosjen përpara drejtësisë të personave përgjegjës. Në intervistën e mëposhtme nëndrejtori i policisë së Qarkut, Adriatik Tafçiu, jep disa prej detajeve të punës së strukturave të Policisë së Shtetit në lidhje me zjarret masive të verës.

Zoti Tafçiu, çfarë pune ka bërë policia e Gjirokastrës gjatë ndërhyrjeve në rastet e vatrave të zjarrit ?

Krahas punës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për komunitetin, gjatë kësaj vere efektivat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës kanë qenë pjesë aktive e punës për shuarjen e vatrave të zjarrit apo minimizimin e rasteve të tilla. Në Qarkun e Gjirokastrës gjatë gjithë sezonit veror janë evidentuar 37 raste zjarri, prej të cilëve 11 raste janë aksidentale, 16 raste nga pakujdesia, dhe 10 raste kanë qenë zjarre të qëllimshme. Në këto raste zjarri efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër janë aktivizuar me mjete rrethanore për të shpëtuar jetën e qytetarëve nga zjarri , si banesat në disa fshatra, si në fshatin Zervat, Jorgucat, Goricë, Sofratikë, Dhuvjan, Lugar, Likomoil, Radat etj., pasi ndërhyrja e repartit zjarrfikës ka qenë e pamundur për mungesë të rrugës dhe terrenit të thyer në lagjet e sipërme të këtyre fshatrave. Duhet theksuar fakti se disa vatra zjarri janë riaktivizuar dy ose më shumë herë, pasi zjarri nuk është shuar plotësisht, pasi ka përfshirë kullota në zona malore dhe kodrina, ku policia apo reparti zjarrfikës s’kanë mundur dot të ndërhyjnë për shuarjen plotësisht të zjarrit. Për të gjitha rastet e zjarrit janë angazhuar rreth 200 punonjës policie dhe 25 automjete të policisë.

Cilat kanë qenë veprimet ligjore të policisë për ndëshkimin e autorëve të zjarreve të qëllimshme ?

Në lidhje me masat e marra për parandalimin e zjarrvënies, kapjen e autorëve dhe dokumentimin e veprimeve proceduriale, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër janë kryer një sërë veprimesh si: sensibilizuese, parandaluese dhe proceduriale. Për të gjithë rastet e zjarreve të kësaj vere nga ana e strukturave të policisë janë kryer veprimet proceduriale dhe si rezultat janë ndaluar dhe arrestuar 6 shtetas si autorë të zjarrvënies me qëllim, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 16 shtetas të tjerë si autorë të zjarrvënies nga pakujdesia. Aktualisht vijon puna hetimore për zbardhjen e vatrës së zjarrit, e cila në fundjavë përfshiu masivin me pisha pranë Parkut Natyror të Viroit. Nga ana jonë po kryhen veprimet proceduriale dhe pas përfundimit të tyre do të operohet me ndalimin ose arrestimin në flagrancë të autorëve.

Çfarë masash do të marrin strukturat e Policisë së Shtetit për minimizimin e vatrave të zjarrit në ditët në vijim ?

Përveç veprimeve sensibilizuese, parandaluese, punës në terren si dhe veprimeve proceduriale, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër është e vendosur të vazhdojë të veprojë me gjithë ashpërsinë e ligjit për të ndëshkuar e proceduar penalisht cilindo person që pas veprimeve policore e hetimore do të rezultojë si autor i zjarrvënies me qëllim apo nga pakujdesia. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›