Masakra e Lilianës, i dashuri “sekret” çoi policinë në shtëpinë e autorit
Hetimi i plotë i krimit makabër, nga gjetja e trupit të masakruar të Liliana Arapit tek arrestimi i autorit. Pas dyshimit të inspektores së policisë, dëshmia e të dashurit të viktimës ishte çelësi i zbardhjes së krimit për xhelozi. Ai identifikoi viktimën nga një plagë në këmbë dhe i tha policisë se e dërgoi me makinë te shtëpia e Gaqo Dumkës, mbrëmjen e së mërkures
Korçë Qyteti i Korçës prej 3 ditësh gdhihet e ngryset me jehonën e lajmit të vrasjes e më pas copëtimit të trupit të 42-vjeçares Liliana Arapi. Pas horrorit me trupin e ndarë copash, diskutimet kanë kapërcyer te marrëdhënia e pazakontë e viktimës me 84-vjeçarin Gaqo Dumka, i arrestuar për ngjarjen tronditëse. E ndërsa qyteti gëlon nga fjalët, policia e Korçës, e cila zbardhi në një kohë rekord ngjarjen, është ende në kërkim të kokës së viktimës. Nga qelitë e paraburgimit, i akuzuari për krimin makabër refuzon të tregojë se ku e ka fshehur kokën e Liliana Arapit, duke ndërruar hera-herës dëshminë e tij. Refuzon të jetë ai vrasësi e ankohet vazhdimisht për gjendjen shëndetësore, por burimet nga grupi hetimor thonë se nuk kanë asnjë dyshim për autorësinë e krimit rrëqethës. Të gjitha provat e gjetura në shtëpinë e marrë me qira prej 84-vjeçarit flasin kundër tij. Megjithatë, Gaqo Dumka i ka qëndruar pohimit të parë se 42-vjeçarja e tradhtonte me të tjerë, çka konsiderohet edhe motivi i krimit. Madje, policisë i ka ardhur në ndihmë i dashuri i dytë i Liliana Arapit, i cili ka mundur ta identifikojë atë në morgun e Korçës.
***
Tymnaja e orëve të para, pas gjetjes së trupit të gjymtuar, është davaritur shpejt, falë një rastësie fatlume për grupin hetimor: një inspektore policie me origjinë nga Devolli njihte viktimën, e për rrjedhojë edhe tutat sportive që ajo vishte shpesh. Më parë, punonjësit e policisë së Korçës ishin shpërndarë në shtëpitë e rreth 60 femrave të larguara nga shtëpia, mes të cilave rezultonte edhe Liliana Arapi nga Devolli. Prindërit e saj kishin thënë se ajo ndodhej në Korçë dhe nuk kishte probleme. Pas dyshimit të ngritur nga inspektorja e policisë, grupi hetimor ka kontaktuar të njohurit e 42-vjeçares, mes të cilëve një burrë që kishte një histori intime me të. Burime nga policia e Korçës bëjnë me dije se ai e kishte identifikuar trupin në morg nga një shenjë plage në këmbë e më pas e kishte drejtuar policinë në shtëpinë e 84-vjeçarit Gaqo Dumka. “Kam qenë me Lilianën mbrëmjen e së enjtes dhe e kam çuar me makinë në shtëpinë e tij. Ajo banonte aty prej më shumë se 1 viti”, - ka thënë dëshmitari kyç për policinë. Nga hetimet e mëtejshme rezulton se është ky personi që e kishte prezantuar Lilianën me të dashurin e moshuar, edhe pse nuk i kishte ndërprerë asnjëherë marrëdhëniet me të.
***
Skena e krimit është plotësuar më pas si copëzat e një puzzle për grupin hetimor. Shtëpia e Gaqo Dumkës ndodhej në lagjen nr.4 të Korçës, vetëm 20 metra larg koshit të plehrave, të lokalizuar më parë nga shoferi i kamionit të firmës së pastrimit. Dhjetëra forca policie kanë zbarkuar në shtëpinë e Dumkës e ky i fundit nuk ka bërë asnjë rezistencë. Pas këqyrjes së bërë në banesën e tij, janë gjetur njolla të shumta gjaku, pjesa e sipërme e tutave sportive si dhe dy thikat e sëpata, me të cilën dyshohet se 84-vjeçari ka kryer krimin monstruoz. Ai e ka pritur policinë me një alibi të gatshme, por krejt të pabesueshme. “Lilianën nuk e kam vrarë unë. E gjeta të masakruar. Unë vetëm sa kam hedhur copat e trupit të saj në koshin e plehrave”, - ngulmonte Gaqo Dumka, edhe pse gjurmët në shtëpinë e tij e tradhtonin. Burime nga policia pohojnë se më pas ai ka pranuar se e kishte masakruar 42-vjeçaren i shtyrë nga xhelozia, duke pohuar se ajo shkonte me të tjerë, më të rinj se ai në moshë. “Unë e mbaja në shtëpi, e kisha të dashur dhe e trajtoja mirë, ndërsa ajo shkonte me të tjerë. Nuk mund ta pranojë më këtë”, - dëshmonte 84-vjeçari, i cili tërhiqej më pas nga ky pohim. “Nuk dorëzohet, kur vjen puna te koka e viktimës. Ai nuk tregon se ku e ka fshehur atë”, - i thanë MAPO-s burime nga grupi hetimor.
***
Në bazë të hetimeve të kryera, rezulton se Liliana prej disa kohësh jetonte në të njëjtën banesë me Dumkën, e cila ishte marrë me qira nga ky i fundit. Ajo kujdesej për të dhe flinte në këtë banesë, duke mos paguar qira. Prej disa vitesh ajo ishte larguar nga banesa e prindërve të saj në Bilisht dhe kishte ardhur për të jetuar në qytetin e Korçës, ku dhe ishte njohur me 84-vjeçarin Dumka. Prindërve u kishte thënë se punonte në Korçë e banonte në një shtëpi me qira, për të cilën paguante 6 mijë lekë në muaj. Nga hetimet e deritanishme rezulton se viktima kishte ardhur në Korçë kohë më parë, duke ndjekur gjurmët e të dashurit që e identifikoi në morg. Më pas, ky i fundit e kishte njohur me Gaqo Dumkën, plakun që pranoi t’i ofronte një strehë e ta konsideronte si të dashurën e tij. Për policinë, ishte pikërisht ky trekëndësh marrëdhëniesh që solli fundin e tmerrshëm të Liliana Arapit nga 84-vjeçari që me zor qëndron në këmbë, por që i shtyrë nga xhelozia nuk ngurroi ta copëtonte trupin e saj.