E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Lilianës: Historia 10-vjeçare e vajzës sime me 84-vjeçarin

Margarita Arapi rrëfen për MAPO-n momentin kur mësuan se trupi i gjymtuar, i gjetur në plehra, ishte i së bijës. “Liliana na thonte se punonte për një plakë dhe jetonte me qira në Korçë. Gaqo Dumkën e ka njohur 10 vjet më parë dhe fliste shpesh me të në telefon. Na thonte se i kishte premtuar t’i gjente një djalë të mirë”

Intervistoi: Thimi Samarxhiu

Fytyrat e vrara nga dhimbja ishin të parat me të cilat përballesh, sapo hyn në lokalin përballë komisariatit të Policisë së Korçës. Prindërit dhe vëllai i Liliana Arapit ishin thirrur aty për të njohur disa rroba që ishin gjetur në banesën e Dumkës, nëse i përkisnin apo jo vajzës së tyre. I mbytur prej lotëve, babai i 42-vjeçares, Albert Arapi, nuk arrin të thotë asnjë fjalë. I vëllai është ende i shokuar, ndërsa nëna e saj shkul flokët nga dhimbja dhe veç qan. Margarita Arapi në një intervistë për gazetën MAPO tregon për jetën e vajzës së saj, njohjet e para me Gaqo Dumkën, 10 vite më parë dhe sesi e mësoi lajmin e hidhur, se trupi i gjymtuar dhe i hedhur në plehra ishte i vajzës së saj.

Zonja Margarita, si e morët vesh për ngjarjen?

Dëgjuam që një vajzë është masakruar, i është prerë koka, por s’na shkonte asnjëherë në mendje që mund të ishte vajza jonë. Ajo ishte në një punë në Korçë dhe punonte. Kur dje erdhën shefat e policisë në shtëpinë tonë në Bilisht dhe na pyetën çfarë kishte veshur, a ka të vrarë te këmba dhe shumë pyetje të tjera. Unë i thashë që do bëhem nënë e fortë dhe të shkoj në morg ta shoh çfarë të jetë, duart, këmbët. Erdhëm sot (dje) këtu në Polici dhe dhamë ca të dhëna dhe po presim të sjellin rrobat, për të parë nëse janë të sajat apo jo. Ta shikoje në fotografi ishte gjithë ajo vajzë, por kohët e fundit kishte rënë shumë. E masakronin ata.

Ju ishit në dijeni të lidhjes së vajzës suaj me 84-vjeçarin Gaqo Dumka?

Jo, jo. Na thoshte që punonte, rrinte me qira si të gjitha vajzat e tjera. “Punoj te një plakë, rri në shtëpi me qira”. Kaq na thoshte.

Ju e njihnit më përpara këtë person? E keni dëgjuar ndonjëherë prej vajzës suaj emrin e tij?

Përpara 10 vitesh, vajza komunikonte në telefon me të dhe ai jetonte në Dardhë të Korçës në atë kohë. Vajza më tha që ai ishte njeri shumë i mirë, ishte i krishterë dhe se nuk shkel në dërrasë të kalbur. Ajo më tha se i kishte thënë se do t’i gjente një djalë të mirë në Korçë për t’u martuar. Kaq dinim për këtë njeri. Asnjë gjë më shumë.

A keni komunikuar me policinë për këtë ngjarje të rëndë që ju ka ndodhur? Çfarë ju kanë thënë?

Policët më thanë që ishin aty për të na ndihmuar. Unë i thashë: A jeni të bindur që është vajza ime? U çorodita fare. Pastaj doli që ishte ajo.

Trupin e keni marrë apo ende?

Jo, jo nuk e kemi marrë akoma. S’na e kanë dhënë. Po presin të gjejnë dhe kokën dhe pastaj të na e japin që t’i bëjnë varrimin. Nuk di çfarë të them, o bir. E kam evlat dhe më dhemb në shpirt. Ne jemi shumë besimtarë dhe na mbetet të themi që kështu kishte vendosur Zoti lart.

Çfarë kërkoni nga drejtësia?

Në kërkojmë vetëm drejtësi, që personi që bëri këtë ngjarje të tmerrshme të dënohet maksimalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›