E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e 26 shkurtit, Topalli: Koha për falje dhe reflektim

“Është një ditë kujtese, është një akuzë por është edhe një ditë ftese, për të kërkuar të falur. Është një ditë e dhimbshme, jo vetëm për familjarët e atyre që u pushkatuan pa ditur përse-në, pa avokat, pa prokuror, pa gjyq, pa vendim, thjeshtë sepse byroja politike kishte vendosur dhe se i duheshin disa të ekzekutuar”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, nëse në vendin tonë nuk do të ketë ndjesë, kërkesë për falje, nuk do të ketë reflektim. “Edhe në javën e ardhshme, e kemi për detyrë që në seancën plenare të përkujtojmë këtë ditë, të një krimi makabër, që shqiptari e bëri kundër shqiptarëve, thjeshtë dhe vetëm sepse nuk pranonin sistemin, nuk pranonin dhunën, donin lirinë dhe ishin të drejtuar drejt perëndimit”, vijoi.

Pyetjes së bërë se pse përkujtohet specifikisht vetëm kjo ditë, Topalli u shpreh se përkujtohen edhe ditë të tjera. “Në këtë 100-vjetor, sigurisht që reflektimi merr një vlerë më të madhe, për këtë ngjarje dhe për shumë ngjarje të tjera. Këtë reflektim, e bëj unë, e bëjnë kolegët e mi, besoj do e bëjë dhe media, dhe të gjithë ata që e duan në thellësi të shpirtit, lirinë dhe vlerat e perëndimit. Shfrytëzoj rastin, për të bërë një ftesë të sinqertë, për të gjithë ata që janë pjesë e trashëgimisë së kësaj dhune, të kërkojnë të falur. Si shoqëri ne duhet të kërkojmë të falur”, ka apeluar Topalli në një intervistë, njofton zyra e shtypit të Kuvendit të Shqipërisë. /Start/

                                                                                             2012-02-26 17:17
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›