E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhepa: Presidenti i ri të jetë konsensual

Nuk dihet ende nëse ai do të jetë Fatos Nano apo jo, teksa opozita ka ofruar mbështetje e saj për këtë kandidaturë.

Deputeti demokrat Selami Xhepa shprehet se Fatos Nano është një shtetar i aftë për gjetjen e kompromiseve, ndërsa zonja Topalli, është e aftë në këtë drejtim, por i mungon kompromisi. “Edhe pse vendi ka një sistem politik që bazohet në parimin e mazhorancës qeverisëse, loja politike në demokraci nuk presupozon parimin wnner-takes-it-all (fitimtari i merr të gjitha). Sistemi demokratik, pavarësisht nga format e organizimit të tij, qëndron mbi parimin më themelor të një shoqërie demokratike “check and balance”. Pra atë të balancimit të pushteteve. Në këtë kuptim, besoj se sa më shumë të gjejë vend konsensusi politik në raport me të gjitha institucionet e pavarura., aq më e shëndetshme do të ishte demokracia në vend”, ka deklaruar ai.

Sipas deputetit demokrat, nëse do të bëheshin ndryshimet kushtetuese, do të ishte mirë që Presidenti të zgjidhej nga populli, por kjo nuk do të thotë-sipas tij- se kompetencat aktuale do t’i ndryshonin. Për sa i përket kandidaturës së Nanos, Xhepa mendon se ai është një figurë e aftë për të gjetur kompromise. “Në figurën e tij shoh një shtetas të aftë në gjendjet e kompromiseve politike dhe që ka ditur të marrë vendime kurajoze, kur rrethanat e vendit e kanë e kanë kërkuar një gjë të tillë. Edhe në sjelljen e tij politike brenda partisë së tij gjen kurajën për të hapur beteja të vështira, siç ishte lëvizja për katarsis, përpjekjet për rinovimin e një partie që kishte një të shkuar shumë të palavdishme, etj”, thotë Xhepa për “Panoramën”.

Ai ka folur edhe për ndryshime në qeveri, pas largimit të deputetit Gazmend Oketa. “Pa dashur të komentoj një vendim të tijin personal dhe duke vlerësuar se z. Oketa ka dhënë një kontribut pozitiv për PD-në gjatë këtyre viteve, ajo çfarë mendoj se meriton të gjykohet është fenomeni. Po të gjykohet në një perspektivë më të gjerë, zhvillimet e kësaj natyre duket se reflektojnë shkallën e pamjaftueshme të demokratizimit të vetë partive politike”, vijon ai. “Sigurisht që Berisha bën një vlerësim të përditshëm të punës së çdo ministri, por mendimi im është se ndryshimet krijojnë gjithnjë një frymë të re entuziazmi reformash dhe përcjellin në opinionin publik ndjesi pozitive për efikasitetin e punës së vështirë qeverisëse”. /Start/

                                                                                             2012-02-27 09:29
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›