E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cerrikut, Gardistët: Plumbat vinin nga të gjitha anët

TIRANE- Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është dëgjuar sot dëshmia e dy gardistëve dëshmitarë të masakrës së 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me arme zjarri 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosën 16 punonjës të Policisë së Shtetit.

Petrit Nikolli dhe Pashk Doda, ishin punësuar si gardistë vetëm një muaj para masarkrës, në shkurt të 1997. Ata dëshmuan se prej eprorëve të tyre ishin urdhëruar të ndërhynin në Cërrik për të rivendosur rendin dhe qetësinë në qytet, i cili në 1997 ishte shkatërruar nga trazirat.

Garditët dëshmuan se kur kishin hyrë në qytet rrugët ishin të boshatisur dhe se nuk panë se nga vinin të shtënat dhe se kush po qëllonte.

Në këtë proces gjyqësor në cilësinë e të pandehurit të akuzuar për masakrën e Cërrikut janë ulur 9 persona.
Të pandehurit janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi
Masakra
Nga hetimet ka rezultuar se në datën 22 maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e policisë nga kjo postë. Të nesërmen forca të policisë së Komisariatit Elbasan të drejtuara nga shefi i komisariatit, Agron Kuliçaj, (tashmë nëndrejtor i Policisë së Shtetit) në bashkëpunim me forcat e speciale (Garda e Republikës) kanë shkuar në Cërrik për të rivendosur rendin. Sipas dosjes hetimore, të pandehurit Llazar Bicja dhe Met Bozi të ardhur në dijeni të lëvizjeve të forcave policore, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të policisë. Hetuesit e çështjes thanë se këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 maj 1997 në lagjen nr.3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani, të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin "Mandela". Bozi e Bicja, sipas akuzës, kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre. Ata kanë nxitur Roland Xhepexhiun të pozicionohet në tarracat e qytetit dhe të godasin efektivet e policisë. Prokuroria thotë se pas këtij organizimi, Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani së bashku dhe me shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, dhe Bashkim Buzani të armatosur me armë zjarri të ndryshme janë pozicionuar brenda ambienteve të kinemasë së qytetit të Cërrikut. Xhepexhiu është pozicionuar në tarracën e pallatit që ndodhet rreth 200 m larg kinemasë. Akuza thotë se pas pozicionimeve që përcaktuan Bicja e Bozi, në Cërrik kanë mbërritur forcat e policisë së Elbasanit të mbështetura nga disa njësi të Gardës së Republikës. Në momentin që ndodheshin në qendër të qytetit shtetasi Ardian Rama, aktualisht i vdekur, ka qëlluar me armë automatike. Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ka qenë duke kaluar në qendër të qytetit të Cërrikut, përball me kinemanë e qytetit, fluksi i të shtënave ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore. Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga Sokol Buzani, veprime që kanë shkaktuar djegien e 2 prej efektivave të policisë që ndodheshin brenda saj dhe ka detyruar personat e tjerë të dalin nga blindi e me pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të 3 efektivave të tjerë të policisë. Prokuroria thotë se në përpjekje për t‘u larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr.1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i forcave speciale të policisë. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›