E Diel, 1 Nëntor 2026

Stuhia lë dhjetëra fshatra pa energji elektrike

Dibër

Moti me reshje shiu dhe stuhi ka lënë pa energji elektrike mjaft fshatra në zona të thella malore të Qarkut të Dibrës. Shkak i ndërprerjes së energjisë mësohet të jenë bërë defektet në linjat e transmetimit të rrymës elektrike për këto zona. Kështu, mësohet se në Rrethin e Matit, gjatë natës së kaluar nuk ka pasur drita në fshatrat e komunave Baz dhe Komsi. Po kështu edhe në Rrethin e Dibrës kanë pasur ndërprerje energjie komunat Tomin, Melan, Lurë etj. Ndërkohë, burime nga Komuna e Trebishtit në Rrethin e Bulqizës, bëjnë me dije se që nga dita e diel, fshatrat Trebisht, Klenjë dhe Gjinovec kanë mbetur pa drita. Ka qenë era e fuqishme ajo që ka dëmtuar linjat e transmetimit, duke këputur telat përcjellës. Sipas specialistëve pranë këtyre rretheve, bëhet me dije se linjat elektrike nuk janë bërë remonte prej vitesh, madje që nga viti 1975 kur dhe janë ndërtuar për të parën herë. Kjo mungesë remonti, thonë specialistët, shkakton defekte si pasojë e motit me reshje, sidomos gjatë stinës së dimrit. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë mobilizuar të gjithë specialistët për riparimin e defekteve të konstatuara në linjat e transmetimit të energjisë, në secilin prej këtyre rretheve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›