Berat, shiu lë një fshat pa ujë dhe një shkollë pa mësim
Reshjet e dendura të shiut, të rëna me mjaft intensitet gjatë orëve të fundit, kanë bërë që lumi Lapardhicë në Rrethin e Beratit të dalë nga shtrati. Vërshimi i ujërave të përrenjve ka sjellë dëme të konsiderueshme gjatë gjithë rrjedhjes së këtij lumi në fshatrat Sheqëz, Bardhaj etj., të Komunës së Lumasit. Ndërsa ka përmbytur shumë toka bujqësore, vërshimi i lumit ka shkatërruar edhe stacionin e pompave në fshatin Sheqëz, duke lënë me qindra familje pa ujë të pijshëm. Burime të Komunës së Lumasit bëjnë me dije se mëngjesin e djeshëm depoja e ujit të pijshëm në këtë fshat është shkatërruar, pasi është marrë me vete nga ujërat e lumit. Rreth 850 banorë në këtij fshati nuk kanë ujë të pijshëm në banesat e tyre, pasi depoja ka dalë jashtë funksionimit. Kryetari i komunës, Fadil Ago, shprehet se komuna i është drejtuar për ndihmë Drejtorisë së Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, ku është kërkuar ndërhyrje për riparimin e dëmit në mënyrë të menjëhershme. Ndërkaq, vërshimi i lumit në fshatin Lumas të Rrethit të Beratit ka bërë që dje nxënësit të mos shkojnë dot në shkolla, si pasojë e mungesës së një ure. Janë dy lagje të fshatit Lumas, në komunën me të njëjtin emër, të cilat nuk lidhen dot me njëra-tjetrën si pasojë e mungesës së një ure. Mëngjesin e djeshëm, si pasojë e prurjeve të mëdha të lumit Lapardhicë, banorët e kanë pasur të pamundur për të kaluar nga një anë e fshatit në tjetrën. Por, ai ç’ka ka qenë më problematik, është fakti se nxënësit nuk janë paraqitur dot në shkollë. Po kështu, dhe mësuesit e mbërritur nga Berati nuk kanë mundur të mbërrijnë deri në shkollë, pasi lumi ka qenë i pakalueshëm. Prej vitesh në këtë zonë mungon një urë lidhëse për dy pjesët e fshatit që ndahen nga lumi Lapardhicë, i cili në ditët me shi i shton së tepërmi prurjet e tij, duke u bërë i pakalueshëm në va.
#