E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i pijshëm, i përzier me ujërat e zeza

Ndotja

Banorët e lagjes “Isa Boletini” të qytetit të Vlorës, prej ditësh nuk mund ta konsumojnë ujin e pijshëm për shkak të përzierjes së tij me ujërat e zeza. Ata ankohen se në çezmat e shtëpive të tyre uji shkon i turbullt dhe me erë të rëndë. Sipas banorëve, një situatë e tillë ka muaj që zgjat, që kur kanë filluar punimet e rikonstruksionit të rrugëve të kësaj lagjeje nga një firmë private. Nga punimet që janë bërë për sistemimin e bllokut të lagjes, janë çarë tubacionet e ujërave të zeza dhe të ujit të pijshëm. Gjatë orarit të ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm, ujërat e zeza futen në tubacione dhe përzihen. “Kemi që në fillim të vitit që nuk pimë ujë nga çezmat, sepse ka një erë të rëndë dhe është i turbullt. Shpesh herë ka pasur raste helmimesh të fëmijëve. Jemi ankuar disa herë në bashki dhe në ndërmarrjen e ujësjellësit, por ata thonë se mban përgjegjësi firma që ka dëmtuar rrjetin e ujërave të zeza dhe atij të pijshëm”, thotë një banore e zonës. Ndërkaq, prej tri ditësh kjo lagje po vuan mungesën e energjisë elektrike, pasi kablloja elektrike e shtrirë përtokë nga firma që kryen rikonstruksionin e kësaj lagjeje është vjedhur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›