E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, gardisti: Ja autorët



Armnd Bajrami

Emrat e tre prej të pandehurve të "bandës së Cërrikut", tek Krimet e Rënda u përmendën dje si të përfshirë direkt në ngjarjen e vitit 1997 ku në qendër të Cërrikut u vranë gjashtë gardistë dhe u plagosën disa të tjerë. "Mora vesh që Meti Bozi, Llazar Bicja dhe Roland Xhepexhiu kanë qëlluar drejt kolegëve të mi", tha dje dëshmitari Sokol Puca, efektiv i Gardës së Republikës. I thirrur në procesin me 10 të akuzuar për "masakrën e Cërrikut", si dëshmitar i Prokurorisë, Sokol Puca, rrëfeu si ishte gjendur në marsin e vitit 1997 në autokolonën e Gardës në Cerrik dhe si mori vesh vrasjen e kolegëve të tij. Puca pohoi se blinda që ai drejtonte kishte shkuar deri në hyrje të Cerrikut, ku ai ishte plagosur nga ciflat e një granate të shpërthyer aty pranë. Më parë ata kishin bërë kontroll për armë në lagjen "Fermë" të Cërrikut. Pasi ishte kthyer në Elbasan, Puca kishte mësuar nga një bisedë me një agjent krimesh të Policisë së qytetit se "banda e Cërrikut ishte shumë e rrezikshme" dhe se ajo "drejtohej nga kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialiste të Cërrikut, Meti Bozi, Llazar Bicja dhe Roland Xhepexhiu". Gjithashtu dëshmitari tregoi për bisedat me gardistin Agim Biberaj, i cili pas ngjarjes u mbajt disa orë peng nga personat e armatosur.
NGJARJA
Dëshmitari Puca, tha dje se në marsin e vitit 1997 qëndronin në gjendje gatishmërie, pasi ishin në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. "Në vitin 1997 kam marrë pjesë në operacione në shumë rrethe të Shqipërisë si Berat, Fier, Korçë, Elbasan, Dibër dhe Laç. Ishim në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ishte 22 maj 1997 kur në orën 20:00 na njoftuan të paraqiteshim në Gardë. Në orën 21:00 u nisëm me katër mjete të blinduara të hipura në "Skania". Për të shkuar në Elbasan kaluam nga Kavaja. Arritëm atje në mesnatë. Shef i operacionit ishte Arjan çenga. Derisa mbërritëm në Elbasan, nuk e dinim arsyen se për çfarë ishim nisur. Në orën 8:00 të së nesërmes u mblodhëm në Komisariatin e Policisë së Elbasanit. Aty na u bashkëngjitën edhe efektivë të forcave speciale. Ata ishin të veshur me rroba laramane. Mund të kemi qenë rreth 30-50 forca. Jemi nisur me 5 blinda, dy "Ifa" dhe një mjet të blinduar të bankës. Blinda i drejtuar prej meje, kishte mbishkrimin 'POLICIA'. Kam pasur rreth shtatë persona në blindë. Nuk i njihja. Ata ishin të armatosur me kallashnikovë, ndërsa unë kisha vetëm armatim brezi, një pistoletë. Autoblinda që unë drejtoja ishte e fundit në autokolonë", tha dëshmitari. Sipas tij, ngjarjen e rëndë e kishte marrë vesh teksa ishte në kryqëzimin e rrugës dalëse të qytetit të Cërrikut me rrugën e Gramshit. "Zbrita nga blinda të merrja vesh se ç'po bëhej. Takova Pjetër Kol Precin. Ai më tha që kishin rënë në pritë. Para se të shkonim drejt Cërrikut, kaluam në lagjen 'Fermë'. Aty forca tonat bënë një kontroll për armë. Në qytet u futën vetëm 3 blinda. Aty tek kryqëzimi kur zbrita në tokë morëm vesh që ishin vrarë disa. Kur isha aty rreth 50 metër larg shpërtheu një granatë. Granata u hodh nga sipër rrugës. Nuk e pashë se cili e hodhi granatën. Aty nuk kuptova asgjë. Hipa në blind. Më pas, ndjeva djegie dhe pashë që një cifël granate më ishte futur në trup", u shpreh dëshmitari.
"BANDA E RREZIKSHME"
Sokol Puca nuk kishte parë gjë me sytë e tij. Në deklarimet e tij ai iu referua personave me të cilët kishte folur për ngjarjen. Sipas dëshmitarit, "autorët" e ngjarjes i kishte mësuar nga një efektiv i policisë së Elbasanit. "Pasi ishim tërhequr nga Cërriku isha me Arjan Cengën tek një lokal në kryqëzimin e rrugës së Peqinit me rrugën që shkon për në Kërrabë. Erdhi aty me motor një djalë rreth 23 vjeç. Mora vesh që ishte efektiv i Krimeve në Policinë e Elbasanit. Emrin nuk ia mbaj mend. Kishte me vete tabelë policie dhe radio. Ai na tha që: 'është një bandë e rrezikshme. Drejtohet nga kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialiste të Cërrikut, Meti Bozi dhe Lazar Bici dhe Roland Xhepexhiu'", rrëfeu Puca. Në të njëjtën ditë në qytetin e Elbasanit, Puca ishte takuar me një tjetër efektiv policie, i cili kishte bërë 'negociatorin', për lirimin e dy gardistëve të mbajtur peng në Cërrik. "Në Elbasan takuam një tjetër efektivë të policisë së qytetit. Ishte një burrë rreth 45 vjeç. Ai na tha se kishte negociuar me persona nga Cërriku dhe u kishte thënë që nëse nuk lironin pengjet deri në orën 17:00 forcat e policisë do të rifuteshin në Cërrik. Ai bisedonte me shefin tonë Arjan çengën dhe më pas shkonte tek komisariati. Para kësaj ore u liruan pengjet.
PENGJET
"Kur u takuam në Elbasan, shokët më treguan për ngjarjen. Më thanë që kishin rënë në pritë. Aty mora vesh dhe emrat e kolegëve të vrarë. Ishin qëlluar nga tarraca e kinemasë së Cërrikut. Të plagosur në Cërrik kanë qenë edhe dy efektivët që u morën peng, Agim Biberaj dhe Azem Rusta. Ngjarjen ma tregoi Agim Biberaj. Ai më tha që kishin qenë në qendër të Cërrikut, kur ishin qëlluar me breshëri. Armët i kanë lënë në transportues dhe kanë dalë prej saj. Nga breshëritë e plumbave, dy gardistë janë vrarë brenda në blindë, dy janë vrarë jashtë saj, ndërsa dy të tjerë janë marrë peng. Biberaj më tha që gjatë kohës që ishte mbajtur peng ishte trajtuar në mënyrë çnjerëzore. I kishin gjuajtur në gjithë trupin me qyta automatiku. Shenjat i kishte në fytyrë dhe në trup. Nga goditjet kishte pësuar fraktura në brinjët e anës së djathtë. Agim Biberaj më tha që e kishin filmuar gjatë kohës që ishte mbajtur peng", tregoi dëshmitari për gjykatën.

Replikat me dëshmitarin

Përmendja e emrave të të pandehurve si pjesëmarrës në sulmin ndaj forcave të gardës, "ndezi" gjakrat e tyre brenda qelisë të sallës së gjyqit. "Kur ke filluar punë në Gardë, ke filluar si specialist, apo si militant?", pyeti i pandehuri Meti Bozi dëshmitarin. Ndonëse dëshmitarit iu ndalua përgjigjja nga gjykata, replikat të forta mes tij dhe të pandehurve nuk munguan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›