E Diel, 1 Nëntor 2026

Theu arrestin, trafikanti i fëmijëve në gjyq për arratisje



TIRANE - Agim Xhambazi, 49- vjeçari që iku nga "arresti i shtëpisë" në ditët e parë të muajit mars, do të përgjigjet para drejtësisë për arratinë e tij. Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen ku ai është i pandehur për akuzën e "largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit". Shorti elektronik i Gjykatës së Tiranës ka përzgjedhur gjyqtarin Sokol Tona, si shqyrtues të saj. Agim Xhambazi u arratis nga shtëpia e tij në Allias, ku ai mbahej në masën e sigurisë "arrest shtëpie", javën e parë të muajit mars. I dënuar me 15 vjet burg për "trafikim fëmijësh", Xhambazi arriti të largohej pa u vënë re nga tre policë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët e ruanin. Ndërkohë që Xhambazi është ende në kërkim, prokuroria ka kopsitur akuzën që rëndon mbi të pas arratisë. Xhambazi u arrestua në Greqi në 10 prill të vitit 2008, pas një denoncimi nga bashkëshortja e tij. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Xhambazi ka kaluar në mënyrë të jashtëligjshme në Greqi me bashkëshorten dhe fëmijët e tij në vitin 2001. Pas mbërritjes për disa vite me radhë ai i ka detyruar ata të kërkojnë lëmoshë në rrugët e Athinës. Në dhjetor të vitit 2009 Xhambazi u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda me 15 vjet burg. Aktualisht dosja në ngarkim të tij është në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›