"Remzi Hoxha", gjykata: Në fuqi arresti për Kumbaron
Armand Bajrami
Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi dje ndryshimin e masës së sigurisë "arrest me burg" për Ilir Kumbaron, një nga të akuzuarit e prokurorisë për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Në seancën e djeshme në ngarkim të tre ish-punonjësve të shërbimit sekret të akuzuar në proces, gjykata rrëzoi kërkesën e avokatit mbrojtës të Kumbaros për revokimin e masës së sigurisë të klientit të tij. Pas rrëzimit të kërkesës, avokati kërkoi përjashtim të pesë gjyqtarëve të trupës gjykuese. Sipas avokatit Vojo Bregu, çështja po paragjykohej, pasi e njëjta trupë që ka vendosur për masën e sigurisë të klientit të tij, po shqyrton çështjen në themel. Avokati i Kumbaros, pretendoi dje se Gjykata ka vepruar me dy standarde në caktimin e masës së sigurisë për Ilir Kumbaron në 12 dhjetor 2009. Sipas avokatit Vojo Bregu, ndonëse të pandehurit në proces akuzohen për vepër penale të kryer në bashkëpunim, vetëm për klientin e tij është marrë masë shtrënguese sigurie. Po sipas mbrojtësit Bregu, nga togat e zeza të gjykatës, brenda një harku kohor prej dy javësh, klienti i tij është deklaruar si i rrezikshëm për shoqërinë, ndërsa të pandehurit e tjerë të procesit jo. Avokati tha se Ilir Kumbaro, nuk përbën rrezik shoqëror dhe se ai nuk përbën rrezik të prishë provat e procesit.
Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, tha dje se masa e sigurisë "arrest me burg", për të pandehurin Ilir Kumbaro nuk është ekzekutuar asnjëherë dhe se ai nuk ka bërë asnjë ditë burg. Në përfundim prokurori kërkoi rrëzimin e kërkesës. Në vendimin e saj të ndërmjetëm Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë. Sipas gjykatës, "kërkesa e Kumbaros nuk ishte e bazuar në ligj dhe në prova". Togat e zeza e argumentuan vendimin e tyre me faktin se "masat e sigurisë janë personale dhe nuk kanë lidhje me të pandehurit e tjerë" dhe se "Kumbaro për disa vite i është fshehur drejtësie". Po dje Gjykata u njoh me dy korenspondenca të ardhura në gjykatë nga drejtësia italiane mbi letër-porositë e dërguara në Itali për pyetjen e dëshmitarëve Eduart çoku dhe Riza Shehu. Sipas korenspondencës drejtësia e vendit fqinj njoftonte Krimet e Rënda, se letër-porositë ishin transmetuar për ekzekutim.