E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, Interi ka trukuar ndeshje edhe në Champions



Leonard Karaj

Interi ka blerë arbitra dhe trukuar edhe ndeshje të Kupës së Kampioneve. Lajmi është bërë i ditur nga uebsajti francez footgoal.net. Sipas gazetarëve të kësaj media elektronike, Interi ka paguar një gjyqtar për t’i favorizuar zikaltrit në ndeshjen e luajtur në Belgjikë kundër Andërlehtit (arbitri i asaj sfide ka qenë greku Kiros Vasaras). Edhe pse mund të duket disi e çuditshme që zikaltrit të kenë korruptuar një gjyqtar përballë një rivali jo shumë të fortë si Anderlehti, janë faktet e fundit të zbardhura nga avokatët e Luçiano Moxhit, të cilat po gjykohen aktualisht, ato që shtyjnë median franceze dhe belge ta besojnë një gjë të tillë.
Besnik Hasi
Më 29 shtator të vitit 2004, në Belgjikë, në stadiumin “Park Astrid”, Anderlehti priste Interin për ndeshjen e tyre të Grupit G, takim që drejtohej nga gjyqtari grek, Vasaras. Takimi, që përflitet se është blerë nga Interi, përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të italianëve, që shënuan me Martins (9’), Adriano (52’) dhe Stankoviç (55’), ndërkohë që për belgët realizoi Bazexho në minutën e 95-të. Në këtë ndeshje ka luajtur edhe ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi. Madje kosovari kuqezi është ndëshkuar edhe me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në dëm të një lojtari zikaltër.
Skandali
“Calciopoli” në javët e fundit është zgjeruar gjithmonë e më shumë dhe pas penalizimit të Juventusit 4 vite më parë, Gjykata Sportive Italiane tani ka vënë në shënjestër Interin dhe Milanin. Por më komprometuese duken faktet e zikaltërve, të cilët përveç gjyqtarëve të Itali, duket se kanë pasur lidhje edhe me blerjen e atyre evropianë, të Ligës së Kampioneve. Baza, të cilat mendojnë se Interi mund të ketë blerë gjyqtarin apo në mënyrë të drejtpërdrejtë ndeshjen me Anderlehtin nëpërmjet kontakteve direkte mes drejtuesve të klubeve, lind nga fakti se kjo nuk do të ishte hera e parë që klubi belg apo ato belge në përgjithësi korruptohen dhe trukojnë rezultatet e takimeve (kujtojmë këtu skandalin me mafian kineze të disa viteve më parë, e cila blinte rezultatet e ndeshjeve të ndryshme në Belgjikë për të pastruar paratë, apo për të fituar shuma marramendëse). Nëse ky fakt që media belge dhe ajo franceze shkruajnë do konfirmohet, ai që do ta pësojë më keq do të jetë Interi.
Hetimi
Italianët aktualisht po hetohen për trukime në kampionatin italian dhe një tjetër fakt komprometues në Evropë mund ta zhyste edhe më thellë klubin e drejtuar nga presidenti Masimo Morati. Pritet që në ditët e ardhshme organet policore italiane të hapin një çështje edhe mbi sfidën e 29 shtatorit të vitit 2004, ku Anderlehti mundej në stadiumin e vet, “Park Astrid”, me rezultatin 3-1, takimi i dytë i fazës në grupe të sezonit 2004-2005 të Ligës së Kampioneve. Në fund, Interi kualifikohej e para nga Grupi G në kuotën e 14 pikëve, e ndjekur nga Verder Bremeni. Ndërkohë, Andërlehti gjatë 6 ndeshjeve të luajtura në atë sezon nuk arriti të marrë asnjë pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›