E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet skema zyrtare, Dajti bëri si i vdekur për të shmangur ekzekutimin

Pasi u plagos, Dritan Dajti nuk reagoi dhe policët menduan se e kishin eliminuar

Dritan Dajti ka teatruar vdekjen e vet gjatë aksionit policor që të shmangte të shtënat nga forcat policore. Të paktën këtë variant ofron skema zyrtare e Policisë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Durrës të shtunën. Skema zyrtare e vendit të krimit, bazuar edhe nga dëshmitë okulare në vendin e ngjarjes nga agjentët e tjerë të policisë, ka përfunduar dhe në bazë të saj rezulton se në momentin që Dajti është rrethuar nga forcat policore dy personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga makina dhe kanë tentuar të largohen me vrap. Në këto momente, në të dyja dyert e “Volksvagen”-it janë vendosur dy prej oficerëve (Fatos Xhani dhe Saimir Duçkallari) në kahe të ndryshme. Dajti, i cili ndodhej brenda në makinë, ka pritur gjakftohtë lëvizjen e policëve. Në momentin që dy policët kanë hapur dyert dhe kanë dhënë sinjalin e policisë, ai i ka qëlluar në fillim Fatos Xhanin nga një distancë e afërt me plumb në kokë dhe më pas është kthyer rrëmbimthi nga krahu tjetër dhe ka ekzekutuar Saimir Duçkallarin me dy plumba, në kokë dhe në zemër. Për t’u siguruar se e kishte kryer krimin i ka qëlluar Fatos Xhanit sërish dhe është larguar për t’u shpëtuar forcave të tjera, që përbënin vijën e dytë të rrethimit.
Bllokimi
Sipas versionit zyrtar policor, porsa Dajti i është larguar automjetit të tij, ai është gjendur në breshërinë e policit të tretë, i cili ka nisur ta qëllojë atë me një kallashnikov, por që për fatin e tij të keq arma i është bllokuar dhe ka kryer vetëm një qitje, e cila ka nxjerrë jashtë loje “qitësin e sigurisë” e skuadrës së ndërhyrjes, Altin Dizdari. Dizdari ka tentuar të godiste me kallashnikov Dajtin kur e pa që po ekzekutonte kolegët e tij. Pikërisht këtë moment e ka shfrytëzuar një tjetër mik misterioz i Dajtit (që për pak sekonda u mbajt i arrestuar nga Dizdari), i cili ka ikur me vrap dhe deri sot askush nuk di gjë për të.
Stimulimi
Duke dalë në drejtim të rërës së plazhit ka qëlluar drejt policit Kastriot Feska, i cili kishte arrestuar 21-vjeçarin Ledion Mara, që ishte krahu i tij i djathtë. Dajti i ka qëlluar gabimisht që të dy, në tentativë për të eliminuar policin Feska, që mbante të prangosur Ledion Marën. Gjatë tentativës për të ikur me vrap është qëlluar nga policia dhe ka marrë tri plagë, duke u hequr sikur ishte i vdekur. Dajti është shtrirë në tokë dhe nuk ka bërë kurrfarë reagimi, aq sa i bindi policët se e kishin eliminuar. Vetëm pasi forcat policore janë shtuar edhe më shumë, policët nisën t’i afroheshin Dajtit dhe, për çudinë e tyre, ashtu i shtrirë përtokë, Dajti ngriti duart lart duke bërtitur: “Dorëzohem, dorëzohem”. Me zgjuarsi Dajti duket se ka pritur shtimin e numrit të efektivëve të policisë dhe dëshmitarëve të ngjarjes për të shpallur dorëzimin e tij, si pasojë konstante ndoshta e frikës së tij se policia mund ta eliminonte pas asaj që ndodhi vetëm pak sekonda përpara se Dajti të ngrinte duart lart.

H. Hasani

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›