Ndjekin të dyshuarin, aksidentohen policët
TIRANE – Dy punonjës policie të Komisariatit Nr.1 kanë pësuar dje një aksident teksa ndiqnin një të dyshuar që nuk ndaloi për kontroll. Policët janë aksidentuar mesditën e djeshme në afërsi të fshatit Bërzhitë të Tiranës, pasi ishin vënë në ndjekje të një makinë, që drejtohej nga një person i dyshimtë. Makina e Policisë që po patrullonte zonën përreth gjimnazit që ndodhet në fshat, kanë pikasur një person që lëvizte me makinë përreth shkollës dhe punonjësit e rendit i kanë bërë shenjë drejtuesit që të ndalonte. Por ai nuk është bindur dhe është larguar nga shkolla, duke dalë në rrugën kryesore dhe është drejtuar nga Elbasani. Makina e Policisë, që drejtohej nga efektivi Fazlli Beqa, i është vënë pas duke ndezur edhe sirenat e vazhdimisht i bënte shenjë që të ndalonte. Në makinë ndodhej edhe përgjegjësi i patrullës, Pëllumb Bendo. Pasi e kanë ndjekur makinën e dyshimtë për disa kilometra, e cila lëvizte me shpejtësi, për shkak të terrenit të vështirë dhe një kthese të beftë, makina e Policisë ka dalë nga asfalti dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës. Për pasojë janë plagosur rëndë të dy punonjësit e Policisë, Beqa e Bendo, ndërsa personi i dyshuar ka arritur të largohet.