Masakra e Podujevës, rrëfejnë të mbijetuarit

Saranda Bogujevcki teksa kurohej për plagët e marra gjatë masakrës së Podujevës
“Bogujevci// Histori pamore” në Galerinë e Arteve
Fatosi, Jehona dhe Saranda tregojnë masakrën e 28 marsit 1999, ku u vranë 16 gra e fëmijë.
Dhoma e ndenjes ka mbetur si 13 vjet më parë. Divanet e mbuluara me shilte, bufeja ku televizori është ende ndezur, e raftet janë mbushur me libra, CD, korniza fotografish. Mbi sobën e bardhë me dru, një ibrik, që ndoshta atëherë lëshonte avull me aromë çaji… E ndoshta shteri mbi pllakën e nxehtë, që nuk do të ndjente më zjarr. Ndërsa zjarr e tym kishte në oborr, atje ku mbetën të vrarë 16 veta. Fatosi, Jehona dhe Saranda Bogujevci janë tre nga anëtarët e familjes Bogujevci, të cilët i mbijetuan mrekullisht masakrës në mars të vitit 1999, në Podujevë. Historia e tyre të kujton klerikun martir, të urtin At Zef Pllumi me veprën e tij “Rrno për me tregue”. E duket sikur edhe Fatosi, Jehona dhe Saranda rrojtën vetëm për të treguar tragjedinë e familjes së tyre dhe të gjithë Kosovës. Këtë rrëfim rrë-qethës ata e sjellin edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve me ekspozitën “Bogujevci// Histori pamore”, në muajin e pavarësisë së Kosovës, por edhe në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Prej atij marsi të hidhur të vitit 1999, kur këta të rinj do të ndodheshin në kufirin që ndan jetën dhe vdekjen, nisi një rrugëtim i gjatë, po aq traumatik sa edhe vetë vdekja. Ishte përballja me mungesën. Ata e dinë se asgjë nuk mund t’i kthejë në jetë 8 pjesëtarët e familjes që mbetën të vrarë atë ditë, por rrëfimi përmes artit duket sikur do t’i çlirojë sadopak nga dhimbja. Ky çlirim i çoi edhe drejt artit. Përmes “Bogujevci//Histori pamore”, në mënyrë origjinale ata rikrijojnë dramën e ngjarjes që përjetuan, shërimin dhe kërkimin e drejtësisë pas tragjedisë familjare. Një histori, e cila që në momentin kur ata e bën publike, nuk u takon më vetëm atyre, por gjithë Kosovës, jo vetëm atyre që kanë humbur njerëz të dashur.
Ekspozita
Ekspozita përbëhet nga katër instalacione, të cilat përshkruajnë gjithë rrugëtimin e Bogujevcëve, duke nisur që para lufte, gjatë saj e më pas. “Dhoma e ndenjes”, “Trungu familjar”, “Dhoma e spitalit” dhe “Dhoma e gjykimit”, janë katër ambiente dhe katër etapa ngjarjeje, ku shfaqen filmime krejtësisht origjinale, intervista rrëqethëse, copa gazetash që tregojnë për ngjarjen, dëshmitë e të mbijetuarve, fotografi dhe sende personale. “Ne bënim sikur kishim vdekur. Dikush kishte probleme me frymëmarrjen, gurgulliste… ata qëlluan edhe më shumë, mendonin se të gjithë ishim të vdekur, por ne jetuam…”. Kjo është vetëm një copëz rrëfimi nga ai mars i 13 viteve më parë. Vizitorët mund ta ndiejnë ankthin, mund të ulen në divanet e dhomës së ndenjes, e cila paraqitet ashtu siç ishte deri para pak minutash para ekze-kutimit, mund të ndjejnë ftohtësinë e dhomës së spitalit, ku u endën të plagosurit. Kjo ekspozitë, përveç karakterit të saj dokumentues, mund të shihet edhe si një përgjigje artistike kundër dhunës, ndërsa në rrafsh universal, edhe si një eksplorim i shpirtit të njeriut që i kundërvihet krimit. Për realizuesit e kësaj ekspozite është shumë e rëndësishme që kjo ngjarje e tmerrshme të tregohet në mënyrë vizuale, por edhe të përshkruajë pasojat që ajo ka lënë te të mbijetuarit dhe familjet e tyre. Dhe jo vetëm, artistët do të donin që eksperienca e tyre të bëhej një shembull se si mund të tejkalohet dhimbja, si mund të rindërtohet jeta nga e para. Kudo ku kjo ekspozitë është hapur, nëpër Ballkan, ka pasur si qëllim të hapë debat dhe të tërheqë vëmendjen e ndërkombëtarëve mbi atë çka ka ndodhur në Kosovë dhe të asaj që mund të ndodhë kur shkelen të drejtat e njeriut. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 2 mars 2012.
Ngjarja
Më 28 mars 1999, në kulmin e konfliktit etnik në Kosovë, një ngjarje e tmerrshme ndodhi në qytetin e Podujevës. 16 gra dhe fëmijë, (duke përfshirë fëmijë të moshës dyvjeçare) u vranë brutalisht. U tërhoqën me përdhunë në oborr, ku edhe janë ekzekutuar në mënyrë makabre me armë zjarri. Pesë prej tyre mbijetuan. Fatosi, Jehona dhe Saranda Bogujevci janë tre nga ata që shpëtuan, ndonëse edhe ata morën shumë plagë nga plumbat. Saranda vetë është qëlluar 16 herë, ku 15 plumba i ka marrë në krah, teksa përpiqej të mbulohej nga rrebeshi që binte mbi të. Në atë masakër ajo humbi nënën, gjyshen dhe dy vëllezërit më të vegjël. Ndërsa Fatosi dhe Jehona, bashkë me motrën Lirijen dhe vëllain Gencin humbën nënën dhe motrën më të madhe. Aso kohe ishin fare të vegjël dhe u endën nëpër spitale në mëshirë të fatit. Lirija, e cila në atë kohë ishte 9 vjeçe, kishte pësuar një goditje tejpërtej fytit dhe operacioni të cilit iu nënshtrua nuk kishte qenë i lehtë. Nuk do të mjaftonin vetëm plagët e plumbave dhe tmerri që iu desh të përjetonin, por do t’u duhej të përballeshin me vetë vrasësit, në gjyqet e zhvilluara kundër kriminelëve të luftës.
ALMA MILE