Shpronësimet, banorët e Bërzhitës bllokojnë rrugën Tiranë-Elbasan
Banorë të komunës Bërzhitë kanë protestuar sot përpara komunës duke bllokuar edhe aksin rrugor Tiranë-Elbasan.
Ata kanë bllokuar me gurë dhe materiale inerte rrugën duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve në të dyja anët duke krijuar edhe trafik në këtë aks rrugor. Banorët kanë treguar për “Ora News” se toka nëpër të cilën do të kalojë autostrada Tiranë-Elbasan nuk i është vlerësuar me çmimin e tregut.
Ata i kanë cilësuar si qesharake çmimet prej 3 mijë lekë të vjetra që qeveria ka ofruar për tokën ndërsa kanë shtuar se në lidhje me shpronësimet u kanë bërë kërkesë edhe autoriteteve shtetërore por ende nuk kanë marrë një përgjegje.
“Ne na kanë vlerësuar tokën me 3000 lekë të vjetra për metër katror, sa një kafe dhe një teke raki” ka deklaruar për "Ora News" një banor, ndërkohë që një tjetër shton se “Toka te ne ka shku 50 mijë lekë, ku ti marr unë të blej tokën tjetër? Ku të shkojmë, të dalim para qeverisë me çadra? Qeveria të japë çmimin e duhur.
Banorët kanë kërkuar që të negociohet për një çmim më të mirë, që tu afrohen çmimit të tregut, të cilat sipas tyre, janë minimumi dhjetëfish më i lartë.
Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë të cilat pasi kanë tentuar të negociojnë me banorët dhe pasi kjo nuk është arritur i kanë larguar vetë materialet inerte nga rruga duke bërë të mundur qarkullimin e automjeteve.
Në vendngjarje ka shkuar edhe deputeti i PS-së Xhemal Qefalia i cili ka theksuar se ka ardhur për të mbështetur banorët e zonës të cilët janë në të drejtën e tyre. Por i menjëhershëm ka qënë reagimi i kryetarit të Komunës Bërzhitë i cili ka theksuar se deputeti Qefalia po e shfrytëzon protestën e banorëve për qëllime politike.
.