E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Pukës, pezullohet nga detyra shefi i policisë dhe 3 oficerë

Gazeta Shqip

Vetëm 2 ditë pas masakrës së Pukës, Policia e Shtetit ka vendosur pezullimin nga detyra të shefit të Policisë së Pukës dhe tre vartësit e tij. Në një njoftim zyrtar, policia e Shtetit sqaron se vendimi për efektivët e policisë, përkatësisht Ridvan Bushati, Lulzim Latifi, Kol Zaja dhe Qetësor Gurra u dha pasditen e sotme nga Gjykata e Pukës, pas kallëzimit nga Avokati i Popullit, i cili i akuzon për mosndërhyrje në konflikt, gjë që do të shmangte sipas tij ngjarjen e rëndë.

Masa e pezullimit paraprak nga detyra ndaj këtyre punonjësve të policisë është bazuar në Rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit, për shkak se ndaj tyre ka filluar procedimi penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe janë duke u kryer veprimet hetimore në lidhje me veprën penale të Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Pezullimi paraprak i tyre zgjat deri në përfundim të ecurisë disiplinore, thuhet në deklaratën e policisë.

Më 29 qershor, familja Markaj po kthehej në Tiranë, pasi ndodhej në fshat për festën e Shën Palit, një festë e zonës së Pukës. Ata janë qëlluar me breshëri plumbash, pas një prite të ngritur nga familja Përmarkaj. Për pasojë, kanë mbetur të vdekur në vend vëllezërit Pavlin dhe Hilë Markaj, përkatësisht 50 dhe 40 vjeç, si dhe kanë mbetur të plagosur Tone Markaj, që është bashkëshortja e viktimës Pavlin Markaj dhe Alfons Markaj, 25 vjeç, nipi i viktimave. Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur dhe shtetasi Bardhok Përmarkaj, që sipas policisë, është një nga autorët e kësaj masakre dhe dyshohet se ky person ka mbetur i plagosur nga kundër përgjigjja me armë e viktimës Pavlin Markaj. Një tjetër version është se Bardhoku mund të jetë plagosur aksidentalisht nga vëllai i tij, gjatë momentit që kanë ngritur pritën. Efektivët e policisë së Pukës akuzohen se kanë fshehur konfliktin kryesor para masakrës, duke bërë presion mbi të dëmtuarit që të tërheqin denoncimin, të cilin nuk e kanë deklaruar as në organet e akuzës, apo gjatë marrjes në pyetje nga Avokati i Popullit. Konflikti mes dy familjeve ka nisur 6 vite më parë, kur familja Markaj i ka blerë një tokë, rreth 3 dynymë, një banori të fshatit, e cila ndodhet pranë shtëpisë së familjes Permarkaj. Familja Permarkaj nxirrte bagëtitë për kullotë te toka e familjes Markaj dhe këtu ka nisur dhe debati mes palëve. Prej 6 vitesh dhe deri kur u krye masakra mes dy familjeve, ka pasur konflikte të vazhdueshme. Disa muaj më parë, dy familjet janë shoqëruar në Policinë e Pukës, ku dhe prokuroria nisi hetimet, por më pas çështja ka mbetur në vendnumëro. Një tjetër konflikt ndodhi disa ditë më parë mes meshkujve të të dyja familjeve në Kamzë, ku dy të palët janë shoqëruar në Komisariatin nr. 5 ku dhe kanë bërë kallëzim ndaj njëra-tjetrës.

31 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)

Masakra e Pukës, pezullohet nga detyra shefi i policisë dhe 3 oficerë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›