E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Pukë, pezullohen nga detyra 4 oficerët e policisë

Pukë- Gjykata e Pukës ka pezulluar nga detyra kreun e Policisë në këtë rreth dhe tre punonjësit e tij, për shkak të mosndërhryrjes në konfliktin e 29 qershorit ku u vranë 2 persona dhe u plagosën 3 të tjerë.

Sipas njoftimit të policisë janë pezulluar nga detyra Ridvan Bushati, Lulzim Latifi, Kol Zaja dhe Qetësor Gurra, pak ditë pas kallzimit të bërë nga Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Pezullimi ka ardhur përshkak se ndaj tyre ka filluar procedimi penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe janë duke u kryer veprimet hetimore në lidhje me veprën penale të Shpërdorimit të detyrës.
Më tej thuhet se kjo masë ndëshkimore do të zgjasë deri në përfundim të hetimeve.

Ngjarja tragjike ndodhi në fund të muajit qershor në fshatin Mardhnac të Pukës, dhe si pasojë e një konflikti pronësie u vranë 2 vëllezërit Hil Markaj 58 vjeç dhe Paulin Markaj 45 vjeç janë vrarë, teksa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.

Mësohet se bagëtitë e familjes Përmakaj kanë kullotur në tokën që familja Markaj kishte blerë. Të zotët e tokës nuk kanë dashur që të lejonin bagëtitë të hynin në tokën e tyre. Ndërkaq, njëri nga autorët e vrasjes, Seferin (Fran) Përmakaj ka rrëfyer në Policinë e Shkodrës mbi konfliktin mes dy familjeve.

Unë kam qëlluar dhe kam vrarë Paulinin. Nuk e di se kush ka qëlluar mbi Hilë Markajn. Ata na e kanë ba për borxh. Na kanë koritë dy herë në sy të njerëzve. Nuk mund të vazhdonim të jetonim të koritun, ka thënë 33-vjeçari. Ai ka pohuar se para një muaji, pjesëtarë të dy fiseve janë rrahur në qendër të Pukës dhe se të dyja palët kanë përfunduar në polici. Ndërsa, pak ditë më parë meshkujt e dy fiseve janë përleshur në Kamëz dhe sërish kanë përfunduar në polici.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›