E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës, dëshmon kryetari i Komitetit të Shpëtimit

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Komitetit të Shpëtimit, Xhevdet Topi, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin ndaj të dyshuarve si autorë të masakrës së Qafë-Gjashtës. Në dëshminë e tij, Xhevdet Topi është shprehur se nuk kishte qenë aty kur ka ndodhur masakra, por kur ka shkuar në vendin e ngjarjes ka parë policin e djegur. Gjithashtu, kreu i Komitetit të Shpëtimit të asaj kohe, ka shpjeguar para togave të zeza se në vendin e ngjarjes janë mbledhur të gjitha provat dhe janë kryer një sërë hetimesh. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 4 mars 1997. Sokol Bizhga, atëherë shef i Krimeve të Vlorës, Gjergji Mehmeti, me detyrën e komandantit të policies, po në Vlorë, efektivi Edi Alia, si dhe një efektiv tjetër policie, po udhëtonin në drejtim të Sarandës. Pikërisht në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë, ranë në pritën e personave të armatosur dhe të maskuar. Grupi kriminal mori peng efektivin Edi Alia, por pasi e torturuan për një javë, e liruan. Por barbaria e tyre nuk pati fund. Sipas dëshmive, keqbërësit shpuan me bajoneta policin Gjergji Mehmeti dhe më pas, në gjendje të rëndë, e kanë spërkatur me napalm duke e djegur të gjallë. Në mjetin ku udhëtonin efektivët e policisë është hedhur një sasi eksplozivi, ku si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur në këmbë Sokol Bizhga. Të akuzuarit si autorë të krimit makabër u arrestuan në nëntor të vitit 2007, në kuadër të operacionit të koduar “Mars 97". Mbi supet e të pandehurve rëndojnë akuzat e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës e mbetur në tentative”, të kryera në bashkëpunim. Pamje filmike rrëqethëse, ku persona të armatosur shfaqen duke torturuar efektivin e policisë Edi Alia, të realizuara në vendin e ngjarjes, dëshmi të shumta mbi atë çfarë ka ndodhur më 4 mars 1997 dhe rrëfimi i punonjësve të policisë që u plagosën, por, për fat të mire, shpëtuan. Akt-ekspertime të shumta, procesverbale të mbajtura në vendngjarje, prova të pakundërshtueshme shkencore.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›