E Diel, 1 Nëntor 2026

'Masakra e Vlorës', lotët e babait: Tmerri kur më vranë djalin, ka gisht shteti

FIER- Në vrasjen e tim biri ka gisht shteti. Autori ka mbështetje të forta në polici dhe prokurori, ndaj e lejuan të largohej. Por kushdo që do të ndihmojë vrasësit, s'ka për të qenë asnjëherë i qetë, s'do t'i lënë shpirtrat e tri viktimave të pafajshme...". 

Asqeri Isufaj, babai i Sokol Isufajt, një prej tri viktimave në të ashtuquajturën "Masakra e Vlorës", akuzon strukturat e shtetit se lejuan vrasësin e djalit të tij të largohej dhe po përpiqen të shtrembërojnë të vërtetën. Burri, që nuk ka vënë gjumë në sy prej ditës kur iu vra djali i vetëm, këmbëngul se Sokoli ishte viktimë e rastësishme dhe në 37 vitet që jetoi nuk kishte pasur përplasje dhe konflikte me askënd. Në një intervistë për "GSH", Asqeri Isufaj, rrëfen mes lotëve bisedën e fundit që bëri me të birin para se të nisej për në plazh dhe si e mësoi lajmin e tmerrshëm të vrasjes. Ai i bën apel qeverisë së re që të kapë autorët e masakrës dhe t'i nxjerrë para drejtësisë. Mandej Asqeri Isufaj nuk heziton të hedhë akuza ndaj punonjësve të morgut në spitalin e Vlorës, të cilët sipas tij, i morën unazën e martesës të birit të vdekur... 
Z.Isufaj, mund të na rrëfeni takimin e fundit me djalin tuaj Sokolin? 
Momenti i fundit që unë kam biseduar me djalin ka qenë rreth orës 12.05 minuta të datës 28 korrik 2013. Në drekë, Sokoli erdhi në shtëpi nga pazari. Kishte pirë kafe me një shok. Më kërkoi që të hanim bukë bashkë. Isha duke u marrë me një punë të vogël dhe i thashë që "është shumë shpejt", se kisha ngrënë mëngjesin vonë. Sokoli qëndroi disa sekonda në këmbë dhe më tha "nuk vjen të hash bukë?" "Jo, - i thashë, - është shumë shpejt". "Po mua më ka marrë uria", - më tha. "Ulu ha bukë të keqen babi". Ai u ul bashkë me gruan dhe dy vajzat. Hëngri drekën dhe rreth orës 13.00, u vesh se e kishte lënë me shokun e tij dhe kushëririn për të ikur në plazh. I them "Sokol, do ikësh?" "Po", - më tha. "Ku do shkosh?" "Do iki në plazh në Vlorë". I urova rrugë të mbarë. E shoqja gjithmonë e shoqëronte deri tek dera kur dilte, qoftë dhe për të pirë kafe me shokët. Atë ditë si për çudi, i kërkoi të mos ikte, pasi më datë 28 korrik të shtatë viteve më parë, ishin martuar. "Do vete, - iu kthye Sokoli nuses, - do bëj dy orë plazh dhe do kthehem". E kishin lënë të dilnin në darkë me Erindën. Rreth orës 16:00, troket dera dhe dolën e hapën dy vajzat e Sokolit. "Gjyshi, - më thanë, - të kërkojnë tek dera". Vjen një kushëri i parë i gruas. Më thotë "vishu, se djali është keq në spitalin e Vlorës". M'u duk si çudi, sikur ai po tregonte ndonjë përrallë me mua. "Çfarë po më thua?" - iu ktheva. "Vishu dhe hajde", - më tha përsëri. Gruaja ishte e shtrirë nga dhoma, ndërsa nusja ishte në dhomën e saj me vajzat. Nuk më besohej prapë. "Mos u vono, se humbasim kohë!" "I ka rënë infarkt?" - e pyeta. "Jo, - më tha, - s'i ka rënë infarkt". E pyeta mos janë gërvishtur me makinë dhe kanë ndonjë problem. Më tha që jo. "Epo po tallesh atëherë", - iu drejtova. Kur e pashë që filluan t'i binin lot nga sytë, e kuptova që kishte diçka. Vajta në dhomë për t'u veshur. Çfarë nuk më shkonte në mendje! Mendoja se Sokoli është keq, e gjeja apo s'e gjeja në spital. Mora dhe lekë me vete duke menduar dhe spitalet tona si janë. Teksa po vishesha, m'u kujtua që atij i ranë lot nga sytë dhe thashë "çfarë do jetë?" S'po arrija të vishesha dot. Doli gruaja dhe më pyeti çfarë kishte ndodhur. Nuk doja t'i tregoja. "Po dal për kafe me kushëririn tënd", - i thashë. Gruaja e pyeti prapë dhe ai i tha që Sokoli është rëndë në spital. Bashkë me gruan u nisëm për në spital. Gruaja rrugës bënte "obobo", edhe pse s'e dinim se çfarë kishte ndodhur dhe si ishte gjendja. Kur afrohemi afër Vlorës, kushëriri i gruas më kërkoi të kisha durim dhe të mbahesha. "Përse?" - e pyeta. "Kaq po të them, bëhu i fortë", - më tha ai. Nuk pyeta më gjatë, se kisha merakun e gruas. Mbërritëm në Kirurgjinë e Vlorës.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazeta Shqiptare)
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›