Rama: “Qeveria, spastrime politike në administratën shtetërore”
Autori i Lajmit: Red.Kryetari socialist, Edi Rama, akuzon Qeverinë se, në kundërshtim me ligjin, po ndryshon administratën publike. Në vijim të “Dialogut me Shqipërinë”, i cili është i fokusuar te çështja e arsimit, kreu i selisë rozë pohoi se qeveria po ushtron dhunë psikologjike dhe po zbaton një fushatë sistematike spastrimesh, tërësisht arbitrare tek mësuesit. Sipas tij, nuk ka asnjë kriter të pushimit nga puna përveç atij politik. “E konsideroj të patolerueshëm në vitin 2007, faktin që me mijëra prindër, mësues dhe mësuese po poshtërohen me instrumentet e pushtetit, po largohen përditë nga puna me alibira, të cilat dihen menjëherë sapo ata zëvendësohen”, - tha Rama. Sipas tij, po tentohet që sektorë të ndryshëm të transformohen në struktura partiake të ministrave duke kontribuar drejtpërdrejt për nëpërkëmbjen e lirive më elementare të mësueseve dhe mësuesve të këtij vendi. Ai theksoi se vetëm mbas pushtimit të një vendi bëhet spastrimi rrënjësor i administratës publike dhe shtetërore, për të larguar nga puna bashkëpunëtorët e forcës së humbur, por jo në demokraci. “Nuk mundet dot që nga një rotacion demokratik të shkunden të gjitha themelet e shtetit dhe mbi të gjitha, të shkelen të gjitha liritë më elementare të njerëzve. Unë e konsideroj të patolerueshme që mësueset dhe mësuesit e këtij vendi kërcënohen hapur se do të largohen menjëherë nga puna, nëse marrin pjesë në një debat publik, të cilin e organizon ndonjë forcë politike”, – tha Rama. Kreu i selisë rozë pohoi se sot në të gjithë vendin njerëzit kanë frikë të flasin, sepse rrezikojnë të humbasin bukën e gojës. “Kjo është e patolerueshme. Kjo është e turpshme. Kjo tregon se në arsimin shqiptar, jo vetëm nuk ka iluminizëm, jo vetëm nuk ka humanizëm, jo vetëm nuk ka sens të respektit për njeriun, por ka një situatë dramatike, dhunë psikologjike”, - tha Rama. Ai premtoi se PS do të jetë përkrah të gjithë këtyre njerëzve dhe do t’i mbrojë publikisht edhe në rrugë gjyqësore të drejtat dhe liritë e tyre. Ky lajm është publikuar: 28/09/2007