Kuvend, sherr dhe grushta mes deputetëve
Autori i Lajmit: Suela TopiPakënaqësitë, por edhe kritikat në gjirin e mazhorancës qeverisëse pas arrestimit të zëvendësministrit demokristian të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Nikolin Jakaj, nuk kanë mbetur në nivelin e deklaratave, por kanë
degjeneruar në konflikt fizik mes sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, dhe deputetit të PDK-së, Tom Doshi. Sherri ka shpërthyer në kafen e Parlamentit, larg pranisë së kamerave, ndërsa në seancë vazhdonte rendi i ditës. Dy deputetët kanë replikuar në distancë pas një deklarate të Leonard Solisit, i cili ka kritikuar dy ditë më parë demokristianët për një sërë qëndrimesh të ditëve të fundit e sidomos për kërkesën e PDK-së për të ngritur një komision hetimor për çështjen e Shkallnuerit.
Replikat mes deputetit të PDK-së, Tom Doshi, dhe sekretarit të PBDNJ-së, Solis, kanë zgjatur vetëm për pak minuta, ndërsa sherri më pas është shoqëruar dhe me përplasje fizike dhe grushta, ku duket se më i dëmtuar ka dalë pikërisht ish-ministri i Shëndetësisë, i cili është larguar nga dera e pasme e Kuvendit, duke i shpëtuar interesit të gazetarëve. Ndërsa deputeti dmeokristian vetëm pak minuta pas sherrit ka dalë nga Kuvendi dhe nuk ka pranuar të japë asnjë prononcim për gazetarët. Deputetë dëshmitarë në ngjarje pohojnë se sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Solis, ka pësuar disa dëmtime në fytyrë.
Shkaku
Shkak i përplasjes së djeshme mes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë duket se janë bërë kritikat e vazhdueshme që Solis ka bërë për zhvillimet më të fundit në PDK dhe veçanërisht për kërkesën e kësaj partie për ngritjen e një komisioni hetimor për ngjarjen e Shkallnurit, ku nga një aksident automobilistik ka mbetur i vdekur një i moshuar. Kreu i ri Grupit Parlamentar Demokristian, Pashk Ujka, ka mohuar të ketë dijeni për ngjarjen dhe ka konfirmuar se PDK do të kërkojë me ngulm ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e Shkallnuerit. Ndërkohë deputetë të të dyja palëve kanë kundërshtuar faktin që përplasja fizike mes dy deputetëve të ketë si prapavijë arrestimin e zyrtarëve, kritikat e Solis apo çështjen e Shkallunerit, por një konflikt tërësisht personal, i cili e ka zanafillën rreth 2 apo tre vjet më parë. Leonard Solis ka komentuar dy ditë më parë situatën e krijuar në Partinë Demokristiane. I pyetur për nismën e PDK-së për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e Shkallnuarit, ai ka pohuar se kjo është një lëvizje e pastër politike. Sipas tij, askush nuk shqetësohet realisht për ngjarjen, por është spekulim politik në lidhje me një fatkeq. Solis ka pohuar se PDK në këto momente duhet të merret me problemet e saj të brendshme dhe jo të nisë hetim për Shkallnurin. Ky lajm është publikuar: 28/09/2007