Masakra në Durrës, në shënjestër i gjykuari për përdhunim
Një nga viktimat e masakrës së djeshme në Durrës, Luan Curri, ishte dënuar me 10 vjet për përdhunimin dhe dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit që i mori jetën nipit të tij, Ani Currit, 15 vjeç dhe 32-vjeçarit Edmond Shemsin. Hetimet pas masakrës së ndodhur në Durrës, në lokalin në pronësi të Currit, ku u ekzekutuan me armë tre persona mes tyre një minoren nuk kanë një pistë paraprake, ndërsa dyshohet për hakmarrje. Curri ishte dënuar nga dy shkallë të gjyqësorit për përdhunimin e një minoreneje dhe tentativën për të përdhunuar një tjetër dhe është lënë i lirë në prill të këtij viti bashkë me dy persona të tjerë të gjykuar si bashkëpunëtorët e tij nga Gjykata e Lartë. Policia thotë se nga dëshmitarët okularë ka mësuar se personi ende i paidentifikuar i ka drejtuar në fillim armën pikërisht Currit, por ende nuk janë shmangur nga hetimi edhe pistat e tjera që mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Shoqërimet
Prokuroria e rrethit si edhe grupi hetimor njoftuan se po vazhdojnë të marrin në pyetje dëshmitarët në lidhje me ngjarjen e rëndë. Sipas burimeve nga policia, deri tani janë shoqëruar në komisariat në lidhje me vrasjet 10 persona. Prokuroria po punon në disa pista, ndërkohë që nuk ka të dyshuar konkretë në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Durrësit në mbrëmjen e së mërkurës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, në vitin 2004 njëra prej viktimave Curri ka qenë i shpallur fajtor nga Gjykata e Durrësit për kryerjen e veprës penale të përdhunimit në grup ndaj dy motrave dhe një personi të tretë. Por ai me vendim të Gjykatës së Lartë është lënë më pas i lirë, duke e shpallur të pavlefshëm vendimin e dy gjykatave.
Ngjarja
Rreth orës 23:00 një person është futur në një lokal në katin e parë të një pallati në lagjen numër 9 të qytetit të Durrësit. Ai në kokë kishte një kapuç të zi, ndërsa ishte i armatosur me një automatik tip kallashnikov. Ka drejtuar armën në një tavolinë ku ndodheshin Luan Curri, i cili ishte ulur në një tavolinë së bashku me nipin e tij Ani Curri, si dhe Edmond Shemsin, duke goditur me breshëri. Për pasojë, të tre kanë marrë plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, duke u rrëzuar në tokë të gjakosur. Më pas, autori i ngjarjes së rëndë është larguar me shpejtësi, ndërsa ka hedhur në tokë armën me të cilën ka kryer krimin. Klientët e tjerë të lokalit, të shokuar janë përpjekur t’iu japin ndihmën e parë viktimave, duke i dërguar në spitalin e qytetit, por plagët e marra dhe humbja e gjakut, i kanë shkaktuar që të treve të sulmuarve vdekjen.
Hetimet
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës, policia dhe prokuroria e rrethit kanë nisur hetimet. Sipas burimeve janë shoqëruar në komisariat 10 persona, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre në lidhje me vrasjen e ndodhur në lagjen numër 9 të qytetit bregdetar. Sipas policisë, nga dëshmitë e marra është parë vetëm një person me kapuç që është futur në hyrje të derës. Ai me vete ka pasur një çantë, në të cilën kishte futur armën e krimit. Ndërsa është futur në hyrje të derës, ka nxjerr armën dhe ka nisur të qëllojë në lokal. Më pas, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Momenti i largimit të tij, është i zbehtë për grupin hetimor. Sipas policisë, dëshmitarët treguan se gjatë momentit të krimit, vrasësi është treguar gjakftohtë. Policia sekuestroi në vendin e ngjarjes 19 gëzhoja të kalibrit 72 mm të dala nga arma me të cilën u kryen vrasjet. Gjatë largimit, autori i vrasjes ka hedhur edhe çantën me të cilën ai mbante armën.
Pistat
Sipas burimeve nga grupi hetimor, ende nuk ka një pistë të qartë për tre vrasjet e ndodhura. Me përjashtim të Luan Currit, asnjë prej viktimave të tjera nuk kishte precedentë penalë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, pistat që po shikohen me vëmendje janë ato të vetëgjyqësisë ose ajo e hakmarrjes. Por ende nuk ka asgjë konkrete nga hetuesit. Kjo, pasi ende nuk dihet se kush ka qenë objektivi fillestar i autorit të masakrës, edhe pse dyshohet që mund të ketë qenë Luan Curri.
Viktimat
Në sulmin e orëve të vona të së mërkurës mbeti i vrarë 15-vjeçari Ani Curri, nxënës në një prej gjimnazeve të qytetit.
Xhaxhai i tij, Luan Curri, 42 vjeç, i dënuar nga dy shkallë të gjyqësorit për përdhunimin e një minoreneje dhe i liruar nga Gjykata e Lartë
Edmond Shemsi, 32 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi, pa precedentë të mëparshëm penalë
Të dhëna
19 gëzhoja të kalibrit 72 mm u sekuestruan nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale
10 persona u shoqëruan në komisariat për të dëshmuar në lidhje me masakrën
15 vjeç ishte njëra prej viktimave që humbën jetën në mbrëmjen e së mërkurës