E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja Curri, skandal i “drejtësisë”?

I vetmi prej 3 viktimave të 27 janarit me precedentë penalë është Luan Curri. Në vitin 2004 ai ishte dënuar nga Gjykata e Durrësit për kryerjen e veprës penale të “marrëdhënies seksuale me dhunë, me të mitur, në bashkëpunim”. Gjykata kishte vendosur dënimin me 10 vjet heqje lirie, pasi ai u shpall fajtor për përdhunimin e dy motrave. Ndërkohë që ai ishte në kërkim nga policia, i njëjti vendim lihet në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, ndërsa Curri arrestohet vetëm në fillim të vitit që shkoi edhe pse fshihej vetëm pak metra nga shtëpia e tij. Ai qëndron në burg për rreth tre muaj, për t’u lënë më pas i lirë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, që vendosi se çështja e ngritur ndaj tij dhe dy të dyshuarve si bashkëpunëtorë, që po i identifikojmë me inicialet L.H. dhe B.E., nuk ishte e bazuar. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i datës 15 prill 2009 vendosi që vendimet e dy shkallëve më të ulëta të shfuqizoheshin. Në fakt më parë, Gjykata e Lartë nuk kishte pranuar rekursin e bërë nga të pandehurit dhe kjo çështje përfundoi në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2007, kjo e ktheu atë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, ku edhe vendimi mori formën e prerë dhe la të lirë Currin e sapoarrestuar dhe dy të dyshuarit. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, që gazeta e zotëron, mbi çështjen në fjalë pranohet se Curri kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të moshës 14-18 vjeç, por gjykata nuk duket se e ka parë këtë si vepër penale (edhe pse bëhet fjalë për minorene), ndërsa vendimi hedh poshtë për mungesë provash akuzën e përdhunimit. “Mungesa e dhunës në kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të dëmtuarën R. e zhvesh të pandehurin Luan nga përgjegjësia penale, sipas nenit 101/2 të Kodit Penal”, - thuhet në vendimin në fjalë. Në fakt çështja duket se është ndërtuar mbi një skandal të mëparshëm, pasi prokuroria nuk ka marrë sipas gjykatës dëshmitë e asnjë prej vendeve ku pretendohet të kenë qenë tre vajzat dhe tre të dyshuarit për përdhunim. Po ashtu çështjes i mungon një ekspertizë mjeko-ligjore sipas gjykatës. Nga ana tjetër, gjykata duket se ka harruar faktin që ka të bëjë me një minorene, me të cilën gjykata e pranon se është kryer marrëdhënie seksuale. Madje vendimi i saj konsideron dhunë vetëm dhunën fizike dhe jo atë verbale apo kërcënimin e mundshëm, në vendim hidhen poshtë dëshmitë e tre vajzave dhe lihet të kuptohet se minorenia (në kohën e përdhunimit) kishte denoncuar tetë ditë më vonë vetëm se ishte ndjerë e fyer

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›