Plan urbanistik për qendrën e Pejës
Asambleja komunale e Pejës ka kryer shqyrtimin publik i planit urbanistik për tri lagje të qytetit të Pejës, “Qendra”, “Kapeshnica” dhe “Karagaçi”.
Hapjen e shqyrtimit publik të planit e bëri nënkryetari i parë i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, ndërsa kompania fituese e tenderit “Urban Plus”, bëri prezantimin e planit për lagjet në fjalë.
Hartuesi i planit, Ilir Gjinolli, tha se plani synon qartësimin e karakterit të qendrës dhe zhvillimin e përmbajtjeve brenda zonës.
Sipas planit, tërësitë në veri të Lumëbardhit parashihet të rikonstruktohen në pjesën më të madhe, ndërsa ato në jug të parashihet të mbesin kryesisht funksion, i cili është edhe sot dominues- banimi individual. Gjinolli tha se përmes planit urbanistik parashihen të krijohen struktura dhe hapësira të reja publike e atraktive, si dhe të trajtohen ato ekzistueset, sidomos në pjesët qendrore dhe përgjatë Lumëbardhit.
“Krijimi i rrjetit të gjelbër i kontribuon vizionit për Pejën si qytet i gjelbër”, tha ai. Gjatë shqyrtimit të këtij plani pati edhe diskutime dhe propozime nga qytetarët e pranishëm. Plani urban mbetet i hapur për shqyrtim 30 ditë, duke filluar nga dita e sotme.