Projektligji për homoseksualët, Ksera: Në përputhje me konventat ndërkombëtare
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera, ka mbrojtur dje në komisionin përkatës kuvendor projektligjin për mbrojtjen nga diskriminimi ose siç është bërë tashmë i njohur, projektligji për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve. Ndërkohë, në debatin në Kuvend, Avokati i Popullit e ka përkrahur këtë nismë, veçse ka deklaruar se komisioneri i posaçëm i parashikuar për kontrollin e zbatimit të këtij ligji është mbivendosje kompetencash, pasi për të drejtat e njeriut është Avokati i Popullit ai që merr ankesa nga qytetarët.
Ndërkaq, Aleanca për Mbrojtjen e LGTB-ve e ka përshëndetur këtë nismë, duke kërkuar edhe më shumë të drejta sesa parashikohen në të. Kundër projektligjit ka dalë avokati Altin Goxhaj, që ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të ligjit për konsultim të gjerë.
Ksera
Ministri Ksera raportoi dje përpara komisionit, duke e cilësuar projektligjin si të plotë dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare që ka nënshkruar Shqipëria. ”Në Republikën e Shqipërisë e drejta ndërkombëtare gëzon një pozitë të privilegjuar në raport me të drejtën e brendshme. Mbi këtë bazë, konventat ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, të cilat parashikojnë edhe dispozita për garantimin e të drejtave pa asnjë lloj diskriminimi të bazuar në kombësinë, origjinën etnike apo sociale, seksin, racën, ngjyrën, gjuhën, fenë, besimin, opinionin politik apo çdo opinion tjetër, pasurinë, lindjen, paaftësinë, moshën ose çdo gjendje tjetër, janë pjesë e legjislacionit të brendshëm dhe shteti shqiptar angazhohet për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara në këto akte ndërkombëtare, në fushat ekonomike, sociale, kulturore, politike ose në çdo fushë tjetër, pa asnjë lloj diskriminimi”, - theksoi ministri.
Sipas tij, nisma për hartimin e projektligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, nga një grup deputetësh është për t’u përshëndetur, pasi është një hap konkret në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nën frymën e dokumenteve ndërkombëtare dhe njëkohësisht, një hap konkret i përmbushjes së standardeve të anëtarësimit në BE.
“Ky projektligj duhet përshëndetur për faktin se ka në objekt të tij mbrojtjen e kategorive më vulnerabël shoqërore nga të gjitha llojet e diskriminimit, paraqitet në momentin e duhur dhe rrit shkallën e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore për të garantuar mosdiskriminimin në një shoqëri demokratike si kjo jona”, - tha ai.
Dobjani: Jo komisionerit
Ndërkaq, po dje, Avokati i Popullit, z. Ermir Dobjani, deklaroi se një nen i këtij ligji që parashikon krijimin e postit të Komisionerit Shtetëror kundër Diskriminimit, është një mbivendosje ndaj kompetencave të Avokatit të Popullit. Sipas tij, të gjitha ankimimet dhe rekomandimet mbi to në rastet kur kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut janë kompetencë e Avokatit të Popullit, e për këtë arsye kërkoi mosmiratimin e këtij neni, ndërkohë që e mbështeti në tërësi nismën ligjore.
Ndërkaq, Aleanca e Lesbikeve, Gejve, Biseksualëve dhe Transxhenderave e përshëndeti këtë nismë. “Duam të sqarojmë se ky projektligj, i cili do të kalojë gjatë ditëve të para të muajit shkurt në seancë plenare, është një hap thelbësor që Shqipëria bën drejt krijimit të të gjithë infrastrukturës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, - deklaruan ata me anë të një njoftimi për shtyp.
Mesditën e djeshme, avokati Altin Goxhaj kërkoi dëgjim në komisionin përkatës kuvendor për “kthimin mbrapsht për ripunim dhe diskutim gjithëpërfshirës të projektligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, ndryshe i njohur në media si ligji i të drejtave të gejve, si një projektligj teknikisht shumë i dobët, i pabazuar dhe i pakonsultuar në shoqërinë civile dhe në grupet e interesit”. Goxhaj e cilësoi projektligjin si antikushtetues, “që shkel hapur të drejtat e njeriut dhe rrezikon të prodhojë persekutime individuale dhe kolektive të qytetarëve dhe subjekteve juridike si pasojë e keqpërdorimit dhe abuzimeve që shkaktojnë subjektivitetet e rënda të parashikuara në këtë projektligj”.