E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosi dy agjentë policie, 15 vjet burg për të arratisurin Paja

Ilir Paja dhe Alket Rizai janë të vetmit shqiptarë që njihen për arratisjet e shpeshta nga burgjet italiane apo greke dhe si shqiptarët e vetëm që kanë mundur të realizojnë në kohë të shkurtër një gjë të tillë. Dhe dje, i akuzuar për plagosjen e 2 agjentëve të policisë në Kinostudio, ndërkohë që tentohej të arrestohej për llogari të drejtësisë italiane, Paja u shpall fajtor dhe dënohet vetëm me 15 vjet burg nga 25 vite që kërkoi organi i akuzës. Vendimi është dhënë dje nga togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të pandehurin Paja, që njihet si një ndër personat që është arratisur disa herë nga burgjet italiane.
Ngjarja
Mbrojtja e Pajës dhe vetë i pandehuri i kanë mëshuar tezës se nuk e ka ditur se cilët ishin personat që po e ndiqnin, duke kujtuar se ishin rivalë që donin ta vrisnin. Duket se kësaj teze i është përmbajtur në vendimin e saj edhe gjykata, duke dhënë gati gjysmën e dënimit të kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës. Ngjarja për të cilën Paja u dënua dje ka ndodhur në mars të vitit 2008, në “Rrugën e Dibrës”, pranë farmacisë 10 në Tiranë, ku gjatë një aksioni për kapjen e të kërkuarit ndërkombëtar, 37-vjeçarit Ilir Paja, për llogari të drejtësisë italiane iu rrezikua jeta seriozisht agjentit të policisë, Bledi Alimeni.
Pas rreth një muaj informacione dhe vëzhgime, forcat speciale të kërkimit, pranë policisë së kryeqytetit, kanë ndërhyrë për të kryer kapjen e 37-vjeçarit Ilir Paja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. I pandehuri Paja po udhëtonte me një automjet ngjyrë gri me targa të huaja, kur i janë vënë në ndjekje forcat e policisë. Kur po afrohej pranë kryqëzimit tek farmacia nr. 10, makina e policisë i ka dalë para të kërkuarit, i cili është urdhëruar të ndalojë. Pas makinës së të kërkuarit ndodhej një agjent, i cili po e ndiqte atë me motor. Por, Paja e ka përplasur agjentin duke e hedhur disa metra tutje. Sapo kanë parë kolegun e tyre të rrëzohet në anën tjetër të rrugës me motor, një prej policëve ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar Pajën, i cili u plagos në shpatull.
Arratisjet
Ilir Paja kishte mundur të arratisej dy herë nga burgjet italiane, duke u kthyer dhe një nga personat më të kërkuar në Itali. Arratisja e parë e shqiptarit u krye në qershor të vitit 2006, kur ai kishte rreth gjashtë muaj që ishte izoluar në burgun e Peruxhias. Pas 3 muajsh arratisje, ai është arrestuar në provincat e Milanos. Edhe në këtë rast, Paja kishte tentuar t'i ikte policisë duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit ku ndodhej. Por, nuk do të kalonte shumë kohë dhe Paja do të arratisej sërish, këtë herë pa bërë plane. Teksa po transferohej me një ambulancë nga njëri burg tek tjetri, ai ka përfituar nga një ndalesë në autostradë. Në një moment, ai ka mbetur vetëm me një prej policëve dhe këtu ka ndodhur edhe arratisja. Paja ka goditur policin dhe pasi e ka shtrirë përdhe është larguar me vrap, pa këpucë në këmbë dhe pa hequr as prangat nga duart.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›