Zbulohet vrasja e para 14 viteve
Për policinë dhe prokurorinë, ngjarjet e vjetra nuk janë aspak kapitull i mbyllur, por vetëm të arkivuara deri në gjetjen e provave. Edhe nëse mund të kalojnë 10 apo 20 vjet, gjetja e një elementi të ri në hetime e nxjerr nga arkiva dosjen dhe vë para drejtësisë autorët përgjegjës. I tillë mund të konsiderohet edhe rasti i një ngjarjeje të 14 viteve më parë në Sarandë, për një vjedhje, e cila për fat të keq pati edhe pasojë në një të vdekur. Pas 14 viteve, policia në bashkëpunim me prokurorinë ka zbuluar autorët e dyshuar përgjegjës për grabitjen, duke i arrestuar ata dhe duke regjistruar procedimin penal për veprën penale “vjedhje me pasojë vdekjen”. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë të ditur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në datën 23.04 2009 ka regjistruar aktet e procedimit penal për veprën penale “vjedhje me pasojë vdekjen” parashikuar nga neni 141 e 25 të Kodit Penal, duke shoqëruar për këtë vepër penale tre persona, konkretisht shtetasit Shahin Ismaili, banues në fshatin Gjashtë, rrethi Sarandë, Edvin Kamberaj, banues në fshatin Metoq-Sarandë dhe Metush Bushaj. Vepra penale që rëndon tashmë mbi këta shtetas është ajo e “vjedhjes me pasojë vdekjen”.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin korrik të vitit 1996, ku pavarësisht mungesës së provave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në bashkëpunim me policinë ka arritur të rihapë dhe rimbledhë provat e të dhënat e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve nga akuza, për ngjarjen e vitit 1996 nuk ka pasur të dhëna për numrin e procedimit apo për persona të dyshuar në kryerjen e veprës penale, pasi për shkak të trazirave të ndodhura në muajin mars të vitit 1997, fashikulli i procedimit në prokurori dhe gjykatë është djegur dhe personat janë shmangur nga përgjegjësia penale. Por, drejtësia vonon, por nuk harron. Pavarësisht mungesës së provave, për këtë dosje të vitit 1996, gati të mbyllur, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë në bazë të dhënave të mbledhura arriti të ndalojë tre shtetas.
Dosja
Në lidhje me këtë procedim penal rezulton se në fshatin Dyrmish të rrethit Sarandë, në muajin korrik të vitit 1996, i është kryer vjedhja e një sasie valute (dhrahmi) shtetasit (të ndjerit) Jorgo Zisi, të cilit pasi i kanë marrë sasinë e parave të ndodhura në kasafortë, njëri prej autorëve e ka ekzekutuar me thikë këtë shtetas. Mbi deklarimin e të dhënave nga bashkëshortja e të ndjerit, Jorgo Zisi, shtetases Gafuro Zisi, i është marrë dëshmi e hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lokalin e saj në muajin korrik të vitit 1996. Mbi këtë bazë, sipas akuzës, më datë 22.06.2009 është rifilluar hetimi në lidhje me procedimin penal, duke u regjistruar procedimi penal me nr. 180, për veprën penale “vjedhje me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 141 e 25 të Kodit Penal. Në bazë të provave të grumbulluara janë ndaluar shtetasit Shahin Ismaili, banues në fshatin Gjashtë, rrethi Sarandë, Edvin Kamberaj, banues në fshatin Metoq-Sarandë dhe Metush Bushaj, banues në fshatin Gjashtë, rrethi Sarandë. Hetimet e këtij procedimi penal u kryen nga oficerët e Policisë së Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Autorët e dyshuar
Shahin Ismaili, banues në fshatin Gjashtë, rrethi Sarandë
Edvin Kamberaj, banues në fshatin Metoq, Sarandë
Metush Bushaj, banues në fshatin Gjashtë, rrethi Sarandë