Masakroi gruan dhe vajzën, kërkon ta shesë si vetëmbrojtje
“E vrava gruan për vetëmbrojtje, ndërsa vajza u qëllua pa dashje”. Kështu ka deklaruar përpara togave të zeza Pjetër Pjolli, i cili dy ditë më parë vrau gruan dhe të bijën 17-vjeçare, në fshatin Samrish i ri i Shkodrës. Mëngjesin e së shtunës ai qëlloi për vdekje brenda shtëpisë, gruan e tij Nine Pjolli, 40 vjeçe, dhe vajzën e tij, Kristina Pjolli 17 vjeçe, dhe dje ka dal përpara togave të zeza për vlerësimin e masës së sigurisë.
Në rrëfimin e tij përpara trupit gjykues autori është mbrojtur duke thënë se të gjitha grindjet erdhën nga problemet ekonomike dhe sipas autorit të ngjarjes, për këto probleme i kishte dërguar SMS edhe Kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa për çastin kur ka kryer vrasjen autori është mbrojtur, duke thënë se ishte gruaja ajo që kishte pistoletën dhe se vrasja ndodhi për vetëmbrojtje. “Time bijë e vrava pa dashje dhe po të kishte më plumba pistoleta do kisha vrarë veten”, ka deklaruar Pjetër Pjolli, autori vrasjes së dyfishtë brenda familjes.
Por organi i akuzës ka hedhur poshtë çdo pretendim të tij, duke thënë se vrasja që ka kryer ishte një ndër krimet më të rënda gjatë këtyre 10 viteve të fundit në Shkodër dhe është kryer me gjakftohtësi. Madje, sipas prokurorit të çështjes, vajza 17-vjeçare nuk është vrarë me plumb, por i është çarë kafka me mjete të forta.
Prokuroria e çështjes, Arjola Ymeri, i ka kërkuar trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Marina Rraboshta, masën e sigurisë arrest me burg për autorin e ngjarjes, bazuar në krimin e rëndë që ka kryer dhe rrezikshmërinë që paraqiste autori i ngjarjes.
Më pas, pavarësisht se mbrohej nga një avokat i caktuar prej shtetit, autori i ngjarjes ka rrëfyer me qetësi në sallën e gjyqit, para trupit gjykues dhe organit të akuzës, gjithë motivin e krimit:
“Vajza flinte me gruan në dhomë, ndërsa unë flija vetëm, pasi kishte dy muaj që nuk kisha asnjë kontakt me gruan. Kishim debate të shpeshta, që kishin si fillesë problemet ekonomike, por nuk kam vënë kurrë dorë mbi gruan. Kam shumë vite që kam ardhur nga Dukagjini dhe nuk kisha as tokë dhe as ndihmë ekonomike. Isha në situatë të vështirë ekonomike. Shteti më la pas dore. Për këtë i telefonova edhe Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Debatoja shpesh me gruan për çështje ekonomike dhe ajo shpesh herë më thoshte: Ik nga kjo shtëpi, se nuk është e jotja”.
Më tej Pjolli ka rrëfyer me detaje dhe krimin e kryer mëngjesin e së shtunës:
“Atë mëngjes sapo u zgjova, dola jashtë dhe i kërkova vajzës të më mbushte një bidon me ujë. Vajza ishte në dhomë me gruan dhe dritarja ishte hapur. Në atë moment m’u përgjigj gruaja, duke thënë: Mbushe vetë, më fyeu dhe më gjuajti me reflektor që nga dhoma. Në atë moment hyra në dhomë dhe i pashë gruas një pistoletë nën jastëk dhe një palë gërshërë. E pyeta se për çfarë e kishte atë pistoletë dhe më tha se e kishte për të më vrarë mua, se “nuk ke çfarë na duhesh. Nuk është shtëpia jote këtu”. Në këtë moment u acarova dhe mora pistoletën dhe e qëllova. Vajzën e kam qëlluar pa dashje, pasi ajo ndodhej në dhomë dhe ka ndërhyrë, madje në fillim s’e kuptova që e kisha vrarë. Gruan e vrava për vetëmbrojtje, pasi kishte armë, sa të më vriste më mirë thashë po e vras, ndërsa vajzën e vrava pa dashje. Po të kishte më plumba në pistoletë do të vrisja veten. Më pas kam lajmëruar policinë dhe më kanë arrestuar”, ka deklaruar Pjetër Pjolli në sallën e gjyqit.
Pasi ka dëgjuar fjalën e organit të akuzës, ashtu dhe pretendimet e autorit, gjyqtarja Marina Rraboshta ka vendosur në përfundim të seancës masën e sigurisë arrest me burg për shtetasin Pjetër Pjolli.