Djali: Doja ta kërcënoja, por humba kontrollin
Burime nga grupi i hetimit tregojnë për “Shqip” se Luljeta Zeqo ka qëndruar gjakftohtë përgjatë gjithë kohës që policia e kishte nën vëzhgim. Madje, edhe pas përballjes me provat dhe akuzën ajo ka ruajtur gjakftohtësinë dhe është mjaftuar duke thënë fillimisht se “nuk kishte zgjidhje tjetër problemi im dhe i dy djemve të mi. Duhej që Ylli Zeqaj të vritej që ne të jetonim të qetë”.
Ashtu si djali A.Zeqaj, edhe Luljeta kanë thënë se tetë plagët depërtuese janë realizuar me thikë. Thika ishte siguruar nga i biri dhe mbrëmjen e 23 korrikut nënë e bir kanë shkuar në shtëpinë ku dikur jetonin si familje e bashkuar.
“Gjatë asaj mbrëmje, djali i ka thënë të atit që mos të kryejë asnjë punim në shtëpi, pasi ajo më takonte mua dhe djemve. I ati ka kundërshtuar ashtu siç kishte bërë shpeshherë. Në këtë moment djali qëlloi një herë mbi të atin. Por, këmbëngulja e Yllit edhe pas marrjes së plagës së parë goditi psikologjikisht tim bir. Edhe pse unë i thashë mjaft, nën efektin edhe të hemorragjisë së të atit, djali vijoi të qëllonte me thikë. Nuk e di sesa herë, por shumë ishin”, tha për grupin e hetimit Luljeta Zeqaj.
Gjithashtu ajo ka treguar se pas krimit ka marrë thikën dhe pasi është përpjekur të fshehë disa nga provat është larguar drejt banesës së saj, nga ku nuk kishte dalë deri sa erdhi policia.
Nga ana e tij, djali vrasës ka pranuar se ai ka qëlluar mbi të atin dhe ka thënë se qysh në fëmijëri ka qenë prezent gjatë debateve të prindërve dhe dhunës që babai ushtronte mbi nënën. “Nuk e duroja dot më dhunën dhe kokëfortësinë e tij, aq më shumë kohët e fundit kur unë me vëllain dhe nënën jetonim me qira, ndërsa ai përpiqej të shiste shtëpinë. Thikën kisha kohë që e mbaja dhe atë mbrëmje nuk e mora me vete për ta vrarë babanë, por për ta kërcënuar. Kur pashë që ai më acaroi sërish nuk durova dot më. E qëllova disa herë. Më pas di që kam qëndruar me nënën për shumë orë deri sa kam marrë veten”, ka deklaruar 16-vjeçari pas përballjes me akuzën.