Rusia, 2 milionë dollarë për trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë
Lajmin e bëjnë të ditur mediat ruse dhe ato serbe, të cilat i janë referuar një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Sipas tyre, mjetet janë ndarë nëpërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë - UNESCO. Ato i “dedikohen restaurimit të Patrikanës së Pejës, Manastirit të Deçanit dhe Graçanicës dhe Kishës së Shën Premtes në Prizren”. Për këtë vendim, institucionet kosovare nuk kanë asnjë “selam”. Numri dy i qeverisë së Kosovës, Hejredin Kuçi, ka pranuar se askush nuk u jep llogari për investimet që bëhen në monumentet e trashëgimisë ortodokse, ashtu siç nuk u lejohet të kërkojnë llogari edhe për mjetet nga buxheti i Kosovës që investohen në këto objekte. “Punët në restaurimin e këtyre kishave do të fillojnë këtë vit dhe do të përfundojnë në fund të vitit të ardhshëm”, shkruan agjencia e lajmeve “B92”, duke iu referuar njoftimit të qeverisë ruse. “Vendimi për ndarjen e mjeteve është marrë duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe në bazë të një projekti të UNESCO-s që synon t'i japë ndihmë Serbisë për restaurimin dhe ruajtjen e monumenteve të saj kulturore, të cilat kanë qenë të dëmtuara gjatë veprimeve ushtarake dhe pas tyre”, citon “B92”. Sipas agjencisë ruse të lajmeve, “The voice of Russia”, kjo ndarje e mjeteve ka ardhur pas një vizite në këto kisha të disa ekspertëve rusë. “Pas vizitave në këto kisha dhe bisedave me autoritetet fetare serbe në Kosovë, është marrë vendimi që ato kanë nevojë për restaurim. Pastaj Kryeministri Putin e ka nënshkruar ndarjen e mjeteve”, shkruan “The voice of Russia”. Të katra objektet janë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se ekzekutivi nuk është i njoftuar për vendimin e Rusisë. Megjithatë, çdo donacion Kuçi e ka cilësuar të mirëseardhur. “Ne mirëpresim çdo donacion që vjen për trashëgiminë e Kosovës dhe objektet e saj”, ka thënë Kuçi. Ai ka pranuar se asnjë kishë ortodokse serbe në territorin e Kosovës nuk i jep llogari qeverisë në lidhje me fondet që marrin. Këtë ai e ka arsyetuar me pavarësinë dhe autonominë që ato kanë me Pakon e Ahtisaarit. “Ne duam proces të rregull dhe transparent në shpenzimin e parave. Mirëpo nuk kërkojmë llogari nga to, sepse objektet fetare kanë autonominë dhe pavarësinë e tyre”, është shprehur Kuçi, duke thënë se vetëm këtë vit qeveria e vendit ka ndarë 500 mijë euro për këto kisha. Por edhe për këto para, sipas Kuçit, qeveria e Kosovës nuk kërkon llogari, por kërkon transparencë të shpenzimeve. “Edhe në fonde kishat serbe kanë pavarësi”, është përgjigjur Kuçi. Kuçi thotë se qeveria e vendit nuk e merr si provokim të shtetësisë së Kosovës, edhe pse vendimi, siç është njoftuar nga autoritetet ruse, është marrë në bazë të Rezolutës 1244. “Kur flasim për aspektin religjioz, ne jemi shumë të kujdesshëm dhe nuk e marrim si një provokim. është çështje e serbëve nëse ata dëshirojnë të provokojnë, por ne nuk e marrim si provokim”, ka thënë Kuçi. Sipas tij, qeveria e vendit është duke bërë çmos që në objektet fetare të punohet në një formë që atyre të mos u cenohet pavarësia dhe autonomia, por pa cekur cila është ajo formë…
Por ekspertët e fushës së trashëgimisë e quajnë të jashtëligjshëm çdo intervenim në trashëgiminë e Kosovës pa lejen e institucioneve vendore. Eksperti i kësaj fushe, Sali Shoshi, drejtor i përfaqësisë në Kosovë të organizatës suedeze, “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHWB), thotë se secili investim në trashëgiminë kulturore të Kosovës duhet të bëhet përmes institucioneve dhe ligjeve përkatëse në Kosovë. “çfarëdo ndërhyrje në objektet e mbrojtura me ligj duhet të shkojë përmes autoriteteve vendore, ose edhe atyre ndërkombëtare”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, askush nuk duhet të anashkalojë ligjet që janë në fuqi. “Ndarja e mjeteve mbi bazën e Rezolutës 1244, nga Rusia, është një vazhdimësi e politikës ruse, e cila njeh vetëm UNMIK-un si autoritet në Kosovë. Mirëpo duhet t’i bëhet e ditur edhe Rusisë se çdo investim në Kosovë duhet të kryhet përmes qeverisë së Kosovës dhe ligjeve përkatëse”, është shprehur Shoshi. Edhe për Xhejlane Hoxhën nga KKTK-ja, UNESCO do të duhej që të kontaktonte me institucionet e vendit për të investuar në monumentet kulturore. “çdokush që investon dhe ndërhyn në objektet e trashëgimisë kulturore në vend, atë duhet ta bëjë përmes direktivave ligjore. Dhe e dyta, duhet të kontaktojë me institucionet vendore, që së bashku të përcaktojnë prioritetet e tyre”, ka thënë Hoxha. Sipas saj, edhe investimi vetëm në kishat serbe nuk është i drejtë. “UNESCO duhet që ta shpërndajë fondin e saj në mënyrë që të përfshihen edhe objekte të tjera, e jo vetëm kishat serbe”, ka thënë Hoxha.
#