E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masaro: Në Tiranë, me një formacion “yjesh”

Altin Latifi 

Nëse një futbollist nuk do të thirret me ekipin kombëtar, ai do të vijë në Shqipëri për trofeun "Taçi Oil Albania Reads". Ai që e ka konfirmuar një gjë të tillë, ka qenë Daniele Masaro, një nga drejtuesit aktualë të klubit të Milanit. Ish-sulmuesi i madh i kuqezinjve, duke folur enkas për këtë çështje në "Milan Channel", ka deklaruar se skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti do të vijë në Shqipëri, në një vend mik dhe ku Milani ka shumë tifozë. Masaro ka konfirmuar zyrtarisht edhe arsyet e zhvillimit të ndeshjes, teksa nuk ka harruar të falënderojë organizatorin, numri 1 të kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi.
Daniele, mund të na konfirmoni se për herë të parë Milani do të jetë në Shqipëri më 14 tetor, për të marrë pjesë në trofeun "Taçi Oil Albania Reads? Për Shqipërinë ky është një rast i veçantë, cili është mendimi i klubit?
Kemi punuar shumë dhe kemi firmosur kontratat. Do të jetë një kënaqësi të prezantojmë formacionin më të mirë që do të jetë në ato momente në dispozicion të Karlo Ançelotit, në një vend mik dhe me shumë tifozë të Milanit.
Ti ke qenë në Shqipëri për Milan Junior Camp, si u ndjeve?
Unë kam një raport të veçantë me Shqipërinë që e thashë edhe në konferencën për shtyp që dhashë atje për Milan Junior Camp. Babai im ka qenë atje në kohën e luftës, ka qenë dhe i burgosur. Ai më pati treguar momentet e jetës së vet dhe kur vajta në Shqipëri ndjeva emocione të forta.
Kjo ndeshje është kërkuar me ngulm jo vetëm nga tifozët shqiptarë, por edhe nga presidenti i "Taçi Oil", Rezart Taçi, që ti e njeh...?
Rezarti është vërtetë një sipërmarrës i jashtëzakonshëm, që po bën shumë për vendin e tij dhe për fëmijët, që janë e ardhmja, si edhe për solidaritetin. Është një sipërmarrës i madh, një mik i madh dhe një njeri i madh.
Mund të na thoni diçka paraprakisht për formacionin që do të luajë në këtë ndeshje?
Unë nuk jam Karlo Ançeloti, por ai do të hedhë në fushë formacionin më të mirë që do të jetë në skuadër në ato momente. Ne e kemi biseduar edhe me Z.Taçi dhe e kemi sqaruar se në atë periudhë janë ndeshjet e Botërorit, janë kombëtaret, kështu që kush do rrijë në ekip, do shkojë edhe në Shqipëri.
Milani do kontribuojë me 100 mijë euro për librari në gjithë Shqipërinë, sa e rëndësishme është bamirësia për një klub si Milani?
Që kur ka lindur formacioni Milan, ne kemi bërë shumë projekte, kemi realizuar shumë vepra. Nëse nuk gaboj janë 42, duke mbledhur 3 milionë e 500 mijë euro në total. Do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Solidariteti është shumë i ndjeshëm, falë edhe klubit, atyre që punojnë për të, por falë edhe futbollistëve, që japin imazhin e tyre për të mbledhur fonde për atë që ka nevojë. Z.Taçi është një person shumë i ndjeshëm dhe që po bën shumë për vendin e tij, ne jemi shumë krenarë, të kënaqur që japim këtë çek.
Mund të kontribuojnë edhe tifozët shqiptarë duke blerë një biletë apo duke dërguar një sms. Doni të jepni një mesazh për ta?
Është e kotë të themi që prapa evenimentit sportiv qëndron solidariteti. Unë ju them shqiptarëve: ejani të gjithë në stadium dhe kush nuk vjen, mund të jetë afër nesh duke dërguar një sms.
Diçka të fundit, Franko Barezi do të jetë në krahun tuaj?
Nuk është një mundësi, por diçka e sigurt. Ai ka disa kohë që ka nisur të bashkëpunojë me grupin e marketingut dhe bashkë ndajmë idetë për të gjitha impenjimet dhe evenimentet sportive në mbarë botën. Për fat, kam një "shpatull", dikë ku mund të mbështetem. Më përpara në fushë, kërkoja unë të isha "shpatulla" e tij, tani ka ardhur ai në grupin e marketingut dhe të marëdhënieve me publikun. Pra, do të jetë prezent në bazë të programeve që ka skuadra, sepse të dielën do të jetë ndeshja e kampionatit dhe skuadra kërkon që të kthehet shpejt në Itali, pas këtij evenimenti. Pra, do të jem unë dhe Franko që do ta drejtojmë skuadrën në Tiranë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›