Masat për ditën e parë të shkollës, prefekti takim me policinë e Tiranës
Unifromat blu do të jenë në shkolla ditën e hënën në kohën kur nis edhe viti i ri shkollor ndërsa patrullime të policisë do të ketë në të gjithë Tiranën. Kjo me qëllim rritjen e sigurisë dhe shmangien e një trafiku të rënduar në kohën kur prindërit shoqërojnë të vegjëlit e tyre në shkolla.
Prefekti Keltis Kruja në mbledhjen e mbajtur në drejtorinë e policisë së qarkut Tiranë ka parashtruar marrjen e një sërë masash për forcimin e rendit dhe sigurisë publike pranë qendrave studentore dhe në shkollat e të gjitha niveleve.
Ndër të tjera prefekti Kruja ka porositur drejtuesit e policisë mbi bashkëpunimin me stafin pedagogjik, me qëllim parandalimin e ngjarjeve apo fenomeneve negative pranë qëndrave studentore.
Masat konsistojnë në organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të policisë në kontrollin e plotë të territorit, në përcaktimin dhe ndjekjen e detyrave nga Patrulla e Përgjithshme të Policisë, strukturat e Parandalimit dhe Hetimit të Krimeve, në interes të garantimit të rendit e qetësisë publike dhe zhvillimit normal të proçesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në Qarkun e Tiranës.
Në vijim është bërë e ditur se në ditën e parë të shkollës dhe në vazhdim, policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, duke bashkëpunuar për këtë qëllim me drejtuesit e shkollave, stafet pedagogjike, komunitetet e prindërve, nxënësit si dhe me punonjësit e sigurisë të vetë institucioneve arsimore.
Forcat e policisë do të ndihmojnë për lëvizjen e lirë të mjeteve dhe të këmbësorëve në afërsi të shkollave, si dhe do të marrin masat e nevojshme ligjore ndaj kundravajtësve. Vëmendja në këtë drejtim do të përqendrohet ndaj drejtuesve të mjeteve që ecin me shpejtësi apo parkojnë në vende të ndaluara në afërsi të shkollave si edhe ne identifikimin e elementët me precedentë penal, që cënojnë rendin e qetësinë publike apo që kanë tendenca për kryerjen e veprave penale, si dhe do të intensifikojnë masat ndaj personave që kanë tendencë shpërndarjen apo përdorimin e lëndëve narkotike në shkolla apo në ambientet për rreth tyre.