Tiranë, grabitet me thika lokali i lotarisë sportive
Dy persona të maskuar dhe me thika kanë mundur të grabisin në orët e para të mëngjesit një lokal lotarie sportive në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00, ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin e autorëve. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se njoftimi i parë është dhënë në sallën operative, ku është deklaruar se grabitja ka ndodhur tek rruga “Muhamet Gjollesha” dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 2. Sipas të dhënave, aty është kontaktuar me pronarin Asim D., 36 vjeç, i cili ka deklaruar se dy personat e maskuar, kishin hyrë brenda në lokalin e tij, kur ai ishte i vetëm dhe e kanë kërcënuar me thika si dhe e kanë qëlluar me grushte dhe shqelma. Më pas kanë kërkuar se ku kishte paratë. Aty e kanë mbajtur nën presion, derisa kanë mundur të marrin rreth 15 mijë lekë të reja, që i kishte bërë xhiro ditore. Sapo ka marrë këto të dhëna, policia kryeqytetase ka nisur të hetojë më tej për çështjen, si dhe ka ngritur disa postblloqe. Gjatë kësaj kohe janë shoqëruar disa të rinj, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur asnjë të arrestuar në lidhje me këtë akt kriminal. Policia u shpreh se pronari i dëmtuar, në denoncimin e tij ka përshkruar edhe autorët e krimit, duke dhënë edhe dyshimet e tij në lidhje me këtë ngjarje. Tashmë, çështja po ndiqet edhe nga specialistët te seksionit kundër vjedhjeve me armë dhe materialet përkatëse i janë referuar organit të akuzës për ndjekje të mëtejshme hetimore.
#