Dita e 9-të, katër grevistë transportohen në spital
Dita e djeshme ka qenë edhe më kritikja deri më tani për grevistët e urisë. Katër prej tyre kanë lënë çadrën e improvizuar para selisë së qeverisë për t’ju drejtuar spitalit. Kështu, në orën 08:30, një 29-vjeçar nga Përrenjasi, Klodian Rira, është transportuar menjëherë në spital, pas problemeve që i janë shfaqur në stomak. Atë e ka pasuar pak kohë më vonë gjatë paradites një grevist me origjinë nga qyteti i Fierit. 30-vjeçari Bledar Meço është transportuar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore. Situata është përsëritur në mesditë, teksa një grevist i tretë, Salarjon Tota, është detyruar të largohet. Mjekët që asistojnë, kanë bërë të ditur se gjendja e keqe është bërë prezente edhe te deputetët që marrin pjesë në këtë protestë ekstreme që zgjat prej 9 ditësh. Në vijim të panoramës mjekësore, rreth orës 15:00 një i ri nga Tirana, Arbër Begaj, u dërgua me urgjencë në spital, për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore.
#