E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen shkolla shqip në Greqi



Nuk është shteti shqiptar që ka ndërmarrë një nismë të tillë e madje, nuk ka siguruar as abetaret e kërkuara nga Shoqata Shqiptare e Kretës, e cila është nismëtarja e hapjes së shkollave shqip në Greqi. Deri më sot janë çelur 4 vendbanime të ishullit grek, me nismën e kryetarit të kësaj shoqate, z. Astrit Jolla.

Duke folur për “standard”, z. Jolla sqaron për nismën që ka ndërmarrë dhe pengesat që ka hasur deri më sot. Ai e nisi këtë hap të rëndësishëm për shqiptarët në Greqi, në kryeqendrën e ishullit të Kretës, Iraklio. “Nuk është e lehtë, por dhe jo e pamundur për këtë përpjekje, përveç mbështetjes së shqiptarëve, kam pasur përkrahje shumë të madhe edhe nga ana e grekëve, sot p.sh. isha gjithë ditën në qytetin e Malies duke vrapuar nëpër zyra të ndryshme të dy bashke me drejtorin e shkollës, me z. Mihali Belivanaqis. Janë njerëz shumë të zgjuar dhe shumë të mirë vendasit, jam i kënaqur që jetoj mes tyre. Në këtë qytet do të fillojmë mësimet shqip javës tjetër rreth 47 nxënës. Të shohim se çfarë do të bëhet nesër për Qershonjëzën, ku janë regjistruar 68 nxënës”, - thotë ai për “standard”.

Deri më sot janë më shumë se 160 nxënës që janë regjistruar në këto shkolla. “Numri i nxënësve deri në këtë moment, sepse çdo ditë ndryshon, është: 26- Iraklio, 20- Profitilia, 47- Malia dhe 68 Qershonjëza. Në Iraklio jemi më keq, por ... të shohim, kam besim që do të shkojë mirë edhe këtu”, - na thotë, z. Jolla.

E në të gjithë këtë nismë që shumëkush mendon se ia vlen, shteti shqiptar duket inekzistent. Z. Jolla erdhi në Tiranë, u interesua e priti përgjigje, e cila deri tani nuk ka ardhur. “Problemet janë shumë, - thotë, - por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, është interesimi tepër i dobët i qeverisë shqiptare për emigrantet, pasi prita rreth 1 muaj për të marrë librat në Shqipëri, abetaret i mora me lekët e mia, rreth 150 copë, hëpërhë nuk dua të flas më shumë për këtë temë, pres...”

E i vetmi apel që ai bën, është pagesa e mësuesve, që nuk mund të përballohet nga shoqata që drejton. “Për sa i përket stafit, nuk kemi pasur vështirësi përveç pagesës që duhet të përgjigjet qeveria shqiptare”, - na thotë ai.

Z. Jolla jeton prej 15 vjetësh në Greqi dhe tashmë i është përkushtuar një çështjeje të shumëkërkuar nga shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj, por shumë pak të prekur nga politika shqiptare. Përse e pyesim me naivitet, për të marrë një përgjigje që duket se e ka mjaft të qartë: “Përgjigjen time e gjeni të goditur sipas thënies së një shkrimtari gjeorgjian: “... në qofte se mohojmë gjuhën amtare, kemi mohuar vetvete”, - na thotë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›