E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrim me agjencitë e udhëtimeve, 8 në pranga

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Tetë persona u arrestuan dje nga policia e kryeqytetit me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit kompjuterik. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, pesë nga të arrestuarit janë punonjës të agjencive të udhëtimit, të cilët dyshohet se kanë vjedhur kompanitë ajrore që operojnë nga Shqipëria.
Shuma e vjedhur dyshohet se është me tepër se 100 mijë euro. Hetimet për këtë rast sipas policisë së Tiranës kanë nisur rreth 6 muaj më parë dhe vjedhja realizohej me anë të çkodimit të kartave të kreditit të shtetasve të huaj, me të cilat bëheshin pagesat e biletave të udhëtimit për persona që niseshin nga Shqipëria. Shtetasit të cilëve u janë vjedhur paratë nga kartat e kreditit janë rezidentë në SHBA dhe Kanada. Ndërkohë që janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest me burg” për 8 shtetas të akuzuar për “Mashtrim kompjuterik”.
Operacioni
Operacioni i policisë mban emrin “Concord”, një operacion që ka vënë në pranga tetë personat, e dyshuar të implikuar në këtë aferë kriminale. Kështu u arrestuan dje: Zenel Buchala, 39 vjeç nga Tirana. Ken Kormani, 45 vjeç nga Tirana. Arjan Troka, 38 vjeç, nga Tirana. Ilir Arapi, 45 vjeç nga Tirana. Erjon Jaupllari, 22 vjeç nga Tirana. Etleva Minxhozi, 44 vjeç nga Tirana. Elizabeta Bengasi, 26 vjeç nga Tirana. Flora Nikaj, 33 vjeç po nga Tirana. Të tetë personat e arrestuar akuzohet se për veprën penale të mashtrimit përmes kompjuterit. Këto persona dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit kanë kryer veprime me karta bankare, te cilat dyshohen se janë të vjedhura apo të klonuara. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto karta, të cilat janë dyshuar të vjedhura apo të klonuara janë përdorur në sisteme kompjuterike të cilat përdoreshin për të prerë bileta udhëtimi të linjave ajrore në sistemin “Online”. Rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjerin kanë kryer shpërndarjen e biletave të udhëtimit të cilat ishin prerë në agjencitë e udhëtimit, kryesisht në Tiranë por dhe në qytete të tjera nëpërmjet personave të arrestuar dje.
Hetimi
Gjatë punës 6 mujore, për finalizimin me sukses të këtij operacioni, nga strukturat seksionit të Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranë dhe Njësisë së Taks Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë kryer veprime hetimore në të gjithë territorin ku këta shtetas kanë realizuar veprimtarinë e tyre. Grupi i punës i angazhuar me këtë hetim, ka punuar me profesionalizëm dhe me përkushtim duke aplikuar të gjitha format dhe metodat speciale të hetimit.

Mbi 100 kallëzime penale nga
kompanitë e fluturimeve

Ndaj të arrestuarve janë shënuar më shumë se 100 kallëzime penale nga kompani fluturimesh, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme në qindra mijëra euro, për shkak të prerjes së biletave të udhëtimit me karta bankare të dyshuara të vjedhura apo të klonuara. Policia fton të gjitha kompanitë ajrore të cilat kanë pësuar dëme për shkak të prerjes së biletave me karta bankare të dyshuara të vjedhura apo të klonuara për të kallëzuar pranë Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Policia ka sekuestruar dje 5 mijë euro, kompjuterë desktop dhe laptopë 18 copë, të cilët shërbenin për përdorimin e sistemit “online”, një sasi e konsiderueshme të kartave telefoni prej 50 numra, 20 aparate celulare, 2 mjete transporti.

Ky lajm është publikuar: 11/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›