E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, Bosch: “Presim zëvendësimet në gjykata”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadori i OSBE-së Robert Bosch deklaroi dje se në një demokraci moderne, të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë Gjyqësorin, duhet të jenë transparente dhe të përgjegjshme. “Transparenca në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe përgjegjshmëria në lidhje me veprimet gjyqësore ndihmon në rritjen e besimit të publikut te gjykatat. Transparenca e procedimeve gjyqësore – veçanërisht e seancave gjyqësore, vendimeve përbën një element të rëndësishëm të së drejtës për një gjykim të drejtë”, u shpreh Bosch. Në ditët e sotme, tha ai, qëllimi për të informuar sa më mirë publikun nuk mund të arrihet vetëm nëpërmjet seancave të hapura gjyqësore.
Ambasadori Bosch
“Në një kohë kur puna e Gjyqësorit luan rolin kryesor në sytë e publikut, siç ka ndodhur kohët e fundit, media shërben si një instrument thelbësor për përcjelljen e informacionit. Nevoja për ruajtjen e të dhënave në lidhje me procedimet gjyqësore ka çuar në ngadalësimin e seancave gjyqësore, duke i kërkuar publikut të jetë i duruar dhe si rrjedhojë duke penguar parimin e një gjykimi të hapur. Pavarësisht këtyre vështirësive, OSBE-ja ka vëzhguar proceset gjyqësore dhe ka arritur në disa konkluzione”, nënvizoi Bosch. Siç e kam përmendur në shumë raste në të kaluarën, tha ai, për të pasur një reformë gjyqësore reale dhe të qëndrueshme, nevojiten ndryshime madhore në kodet e procedurës që drejtojnë punën e përditshme në gjykata. “Për shembull, një ndryshim i rëndësishëm procedural do të ishte që vendimet e gjykatave të zbardheshin shumë më shpejt. Shpesh, vendimet dalin edhe pasi ka kaluar afati për apelim.
Përzgjedhja e gjyqtarëve
Gjithashtu, meqenëse veprimtaria e sotme sponsorizohet edhe nga Shkolla e Magjistraturës, do të doja të thosha disa fjalë për rekrutimin dhe ngritjen në pozitë brenda gjyqësorit. Është tejet e rëndësishme që në të gjitha emërimet në sistemin gjyqësor të zbatohen standardet më të larta profesionale dhe etike. Aktualisht, ne po presim një numër emërimesh në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Shpresoj që të gjithë personat e përfshirë në procesin e përzgjedhjes do të sigurojnë që individët e përzgjedhur të jenë jo-politikë. Sidoqoftë, të qenit apolitik nuk mjafton”, theksoi Bosch. Në fund, vazhdoi ai, ata që zgjidhen duhet të jenë, gjithashtu, juristë të shkëlqyer dhe duhet të kenë një reputacion të rrënjosur si njerëz të pakorruptuar apo të pakorruptueshëm. “Sidoqoftë, nuk duhet që fokusi publik aktual në këto emërime të profilit të lartë të na largojë nga proceset e përzgjedhjes në gjykatat e niveleve më të ulëta. Ngritjet në pozitë brenda sistemit gjyqësor duhet të bazohen në kriteret profesionale dhe etike. Ndonëse jo të gjitha seancat dëgjimore për këto emërime mund të jenë publike, pasi është e rëndësishme që të kihet parasysh mbrojtja e të dhënave, unë, sidoqoftë, do të nxisja emërimin e gjyqtarëve më të zotë të mundshëm dhe që publikut ti jepen shpjegime të plota me shkrim për arsyet për të cilat u zgjodhën këta individë”, nënvizoi Bosch.

“Shteti të mbrojë gjyqtarët
që iu mbaron mandati 9-vjeçar”

Gjyqtarët që përfundojnë mandatin e tyre nëntëvjeçar duhet të mbrohen nga shteti dhe e ardhmja e tyre duhet të qartësohet. Deklarata u bë pak minuta më parë nga Kryetari i Prezencës së OSBE, Ambasadorit Robert Bosch, në ceremoninë e organizuar nga Gjykata e Lartë me rastin e Ditës së Drejtësisë. “Anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilëve u mbaron mandati janë me status të paqartë dhe ky lloj statusi i këtyre ish-gjyqtarëve nuk mund të jetë i pranueshëm për askënd”, - nënvizoi Bosch. Sipas tij, është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë hapat e nevojshme për të siguruar, që ata të cilët kanë shërbyer për nëntë vjet në këtë Gjykatë të jenë të qartë për të ardhmen e tyre. “Këta njerëz nuk mund të kërkojnë punë ndërsa shërbejnë në gjykatë dhe, shumë shpesh, u duhet të marrin vendime që mund të jenë të papërshtatshme me perspektivat e punës së tyre të ardhshme. Nëse duam seriozisht që kjo gjykatë të prodhojë drejtësi të paanshme, atëherë duhet të sigurohemi, gjithashtu, që anëtarët të cilëve u mbaron mandati të kenë një të ardhme të qëndrueshme profesionale dhe ekonomike”.

Becaj: “Drejtësia, kërkohet ndryshim i ligjeve”

Ndryshim të ligjit për Gjykatën e Lartë, ligjit për Avokatinë si dhe ndryshime të Kodeve të Procedurës Penale, Civile dhe Administrative, kërkon kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, në ditën e Drejtësisë. Drejtuesja e hallkës më të lartë të Gjyqësorit, pohoi se këto shqetësime i janë bërë prezent Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha dhe Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Në një takim me gazetarët, Becaj, shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale të sistemit të Drejtësisë, ngërçin nga mungesa e zëvendësimeve të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese si dhe në KLD. Ajo hodhi idenë e krijimit të një strukture të posaçme për shqyrtimin e çështjeve administrative, e cila duhet të vijë paralelisht me krijimin dhe funksionimin e gjykatave administrative. Lidhur me mosfunksionimin, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Becaj, theksoi se është përgjegjësi e të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë për dështimin e takimit prej të cilit, vetë gjyqtarët mund të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre në vendet vakante në KLD. Kryetarja e Gjykatës së Lartë shprehu shqetësimin për volumin e madh të çështjeve që mbërrijnë në Gjykatën e Lartë, edhe kur objekti i tyre është banal. Shtatë mijë raste presin për gjykim, ndërsa kolegji penal ka mbërritur në çështje të depozituara që në vitin 2008, ndërsa 2 kolegjet civile, kanë në duar çështje që presin vendimin e Gjykatës së Lartë që prej vitit 2007.
Ky lajm është publikuar: 11/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›