Mashtrim spektakolar Levskit të Sofjes
Gjithçka për të fituar një ndeshje derbi. Dhe natyrisht përfundimi ka qenë mëse i arrirë. Kjo pasi drejtuesit e Levskit të Sofjes kanë marrë të mirëqenë një lajm, i cili vinte nga kampionët e Rusisë së Rubin Kazan. Sipas një “emisari”, i cili në fund rezultoi fals, klubi rus kishte kërkuar katër nga futbollistët më të mirë të Levskit të Sofjes për t’i pasur në organikën e vet, duke parë se tashmë do t’i duhej të luante edhe në Kupën e Kampioneve. Madje klubi kishte bërë edhe ofertat për secilin nga këta lojtarë, duke u ofruar edhe rroga mjaft të majme. Për Zhivko Milanov dhe maqedonasin Darko Tasevski, oferta ishte mbi një milionë euro. Diçka më pak për brazilianin Zé Soares dhe marokenin Yousef Rabeh. Kjo pikërisht disa ditë para derbit CSKA Sofje-Levski Sofje. Me këtë qëllim katër futbollistët nisen për në Rusi, ku priten nga emisari i Rubin Kazan, i cili u tregon gjithçka por në momentin e fundit “zhduket” nga qarkullimi. Para se të largohej “drejtuesi” fals i Rubin Kazan kishte bërë edhe vizitat mjekësore të 4 lojtarëve në një klinikë private në Moskë, duke bërë edhe më fiktive transferimin e tyre në këtë kampionat. Por mëngjesin e ditës së dielë, kur në Sofje do të luhej derbi, u kuptua edhe hileja. Lojtarët u kthyen në Bullgari por pa ta, Levski kishte humbur 2-0 ndaj “armiqve” të betuar të CSKA-së.