Rama: Deputetët aktualë do votëbesohen nga anëtarësia
Aristir Lumezi
Dy kandidatë për kreun e PS-së, Edi Rama dhe Maqo Lakrori u ballafaquan dje para socialistëve të kryeqytetit. Takimi i zhvilluar dje në sallën e Akademisë së Arteve, u shoqërua me pyetje të pjesëmarrësve, kryesisht në adresë të Maqo Lakrorit, ndërsa Edi Rama shprehu opinionin e tij rreth mendimit ndryshe në parti dhe ndryshime të pritshme statutore.
Meqenëse ka mendime ndryshe në parti, kemi të bëjmë me mendim ndryshe apo konflikt ndryshe. Pas këtyre zgjedhjeve, si do ta trajtoni mendimin ndryshe brenda forumeve?
Nëse mendoni se do të ndryshoni statutin, a do ta pyesni bazën socialiste?
Duhet të fokusohemi te problemi i zgjedhjeve. Në Shqipëri ka rënë ligji, për shkak të rënies së zgjedhjeve. Nuk kemi as kohë as energji të merremi me telenovela të tjera. Pa asnjë dyshim, pas 26 shtatorit, ne do të debatojmë paralelisht me betejën që do zhvillojmë deri në fund për lirinë e votës, ne do të zhvillojmë një debat për atë që duhet të ndryshojmë në partinë tonë. Ne jemi partia e parë që ka lindur për të qeverisur. Ne kemi nevojë të diskutojmë dhe për këtë arsye, me një shumicë gati absolute në kongres, ne refuzuam paketën e ndryshimeve statutore, ndërkohë që do të merreshim me formulimin tonë për të mbrojtur demokracinë. Nuk ishte koha që të hynim në diskutimin e neneve të ndryshme sepse një reformë statutore duhet të jetë fryt i një diskutimi të gjerë në parti. Tani po, pas 26 shtatorit do të diskutojmë jo vetëm për statutin, por dhe për rregullat e bashkëjetesës sonë, për t’i dhënë fund njëherë e mirë keqkuptimeve lidhur me “ç’është mendimi ndryshe?”, “ç’është mendimi?”, “ç’është opinioni?”, “ç’është pikëpamja?” “ç’është këndvështrimi?” këto janë norma të shkruara dhe të përcaktuara qartë në jetën e partive moderne demokratike, që funksionojnë me norma të gjithëpranuara dhe që kanë si bazë dëshirën për të bashkëjetuar. Askush nuk na ka sjellë këtu pa dëshirë dhe nuk mund të marrim peng njëri-tjetrin me konflikte dhe me sherre që nuk kanë të bëjnë fare me aspiratat dhe interesat e njerëzve që na kanë votuar. Në PS ka plot hapësirë dhe do të krijojmë për ndryshimet statutore. Unë kam një propozim, por mund të gjejmë dhe propozime të tjera; unë mendoj se deputetët aktualë duhet të votëbesohen nga anëtarësia e PS së gjithë qarkut para se të rikandidojnë, gjë që padyshim është e diskutueshme, ashtu siç është dhe e diskutueshme futja në listë e deputetëve të rinj. Nuk ka asnjë parim të aplikuar deri tani nga partitë në botë që kandidatët për deputetë të klasifikohen nga votimi “një anëtar një votë”.
A mund të ketë zgjedhje të parakohshme pa bojkot të kushtëzuar?
Zgjedhjet e 28 qershorit nuk na dhanë rezultatin e dëshiruar dhe të merituar. Një fakt i tillë nuk mund të gjenerojë entuziazëm, por gjeneron shqetësim. Në kushtet kur ndodh e dyta, ajo që unë ndjej në të gjithë vazhdën e takimeve, është rritja e shqetësimit të njerëzve. Pavarësisht se ajo që ndodhi nuk u përkthye në një ndryshim demokratik të pushtetit, por solli riciklimin e pushtetit ekzistues, njerëzit ndjejnë dita ditës një trysni e cila është trysnia që një vendi i bëhet kur pushtohet. Vetëm një qeveri pushtuesish i ndan njerëzit në tanët dhe të tyret. Kjo është arsyeja jonë me mos hyrjen në parlament dhe nuk i ngjan fare bojkotit të së shkuarës të bërë nga Berisha. Mos hyrja në parlament është dëshmi e vetëdijes sonë, se nuk jemi këtu për të luajtur teatrin e demokracisë. Jemi gati të hyjmë në parlament nëse na jepet e drejta elementare për të bërë hetimin serioz parlamentar dhe me prezencën e OSBE-së, por jo me kushtëzimin e shumicës. Zgjedhjet e parakohshme nuk i kanë në dorë Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatos Nano që t’i ndalojë, ato i kemi në dorë ne ti provokojmë.