E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudia Fushaj, shpërblime dhe gjoba pas Dinamos

 

Leonard Karaj

Ka përgëzuar ekipin për lojën ndaj Dinamos dhe konfirmuar premio, teksa nga ana tjetër ka dhënë një rrogë mujore gjobë për Safet Osjen.

Ky është presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj pas takimit të së shtunës në kampionat, ku kuqeblutë barazuan me blutë e kryeqytetit. Kreu i presidencës shkodrane nuk e ka fshehur kënaqësinë për performancën e skuadrës së tij, takim që ishte i vlefshëm për javën e katërt të Superligës, e që vinte menjëherë pas humbjes befasuese me Kastriotin (1-0). Fushaj organizon një mbledhje pune me skuadrën e stafin teknik, ku kërkoi maksimumin nga ekipi. “Dua të luani si ndaj Dinamos e jo si në 3 ndeshjet e para. I keni mundësitë, përbërjen dhe gjithçka tjetër. Dua angazhim maksimal për ndeshjen e radhës me Teutën”, tha bosi kuqeblu, që gjatë presidencës së tij ka fituar vetëm një Kupë të Shqipërisë me Vllazninë. Presidenti i klubit më të vjetër në Shqipëri, Vllaznisë (9 tituj kampion, 6 kupa) diskutoi në parim me lojtarët edhe për premiot financiare që duhet të përfitojnë ata gjatë këtij sezoni në rast suksesi. Fushaj propozoi dy alternativa: e para, shpërblim financiar pas çdo ndeshje, ose për titullin kampion ose fitimin e Kupës së Shqipërisë, duke ua lënë në dorë futbollistëve të zgjedhin opsionin më të mirë sipas tyre. Vllaznia, pas katër javësh ka grumbulluar vetëm 4 pikë nga 12 të mundshmet, 1 fitore (me Apoloninë), 1 barazim (me Dinamon) dhe dy humbje (me Besën e Kastriotin.) Teuta nga ana e saj vjen në përballjen me shkodranët pas shkatërrimit 3-0 të Flamurtarit, që solli edhe shkarkimin e Eqerem Memushit nga pankina vlonjate e zëvendësimin e këtij të fundit. Vllaznia dështoi dy herë sezonin e kaluar me Teutën, duke humbur 4-0 në fazën e dytë, pas kësaj Agim Canaj dha dorëheqjen nga veriorët, si dhe 1-0 në fazën e tretë në drejtimin e malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç duke fituar vetëm takimin e fazës së parë, 2-1 të luajtur në “Loro Boriçi”.

E drejta TV, Tirana: Jemi në negociata

Për drejtorin teknik të bardhebluve, Alban Tafaj, negociatat me FSHF-në për çështjen e së drejtës televizive nuk janë mbyllur, madje po punohet për gjetjen e një kompromisi. Me këtë problem nuk po merren krerët drejtues, por punonjës nga të dyja palët, që po mundohen të gjejnë pikat e përbashkëta të marrëveshjes. Sipas Tafajt, deri tani nuk ka asnjë marrëveshje, aq më tepër që edhe TVSH-ja ka shfaqur së fundmi një ankesë në lidhje me kontratën, duke parë disa mangësi serioze në ofertën e bërë. “Ne jemi në një pikë ku ende nuk kemi gjetur një marrëveshje me FSHF-në për problemin e së drejtës televizive. Tashmë i kemi bërë të qarta propozimet tona dhe pikat ku nuk mund të pajtohemi me kontratën e parashikuar. Federata na ka premtuar ndërkaq të rishikojë termat ligjorë të kontratës me kompaninë në fjalë dhe mund të them se ka një përkujdes të individëve të caktuar në FSHF për të gjetur një rrugë kompromisi me ne.

Kupa e Shqipërisë

Turi i Parë/ Sot

Grupi i Veriut

Naftëtari-Çlirimi
Gjyqtar: Balliu

Mamurras-Korabi
Gjyqtar: Nase

Erzeni-Iliria
Gjyqtar: Hakrama

Luzi-Përparimi
Gjyqtar: Dervishi

Grupi i Jugut

Vlora-Këlcyra
Gjyqtar: Masha

Tomori-Përmeti
Gjyqtar: Çobaj

Domosdova-Maliqi
Gjyqtar: Fetollari

Delvina-Himara
Gjyqtar: Sino

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›