E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, KQZ: Pesë partitë të kthejnë lekët e fushatës

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon pesë partive jo parlamentare, PSD, PDS, PAD, PAA dhe PAD të kthejnë mbrapsht lekët e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. KQZ-ja ka miratuar udhëzimin për kthimin e 12.728.006 lekëve të reja për shkak se tashmë ato nuk janë parlamentare. Në diskutimin e tyre përfaqësuesit e partive politike, të cilat janë të detyruara kërkuan që të kenë më shumë afat në dispozicion për të kthyer paratë e marra për fushatën elektorale. Përfaqësuesi i PAD-së, Genci Anastasi kërkoi më tepër kohë që të realizohet kthimi i parave. “Ne në vitin 2003 kemi qenë në gjyq për një çështje të tillë, pasi e fituam atë, presim që Ministria e Financave të na japë fondin tonë. Gjithashtu, kësaj periudhe kemi kryer disa investime çka e bën të pamundur kthimin e fondit pranë KQZ-së”, tha Anastasi. Anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi hodhi si propozim një variant, që synonte shmangien e detyrimit të partive politike për të kthyer paratë. Sipas tij, në zgjedhjet e 28 qershorit element parësor kanë qenë koalicionet dhe partitë që kanë marrë pjesë në një koalicion mund të konsiderohen të gjitha parti që kanë mandat, sepse votat e tyre kanë prodhuar mandate. “Para duhet të kthejnë vetëm partitë që kanë garuar të vetme në zgjedhje dhe nuk kanë marrë asnjë mandat”, propozoi Varfi. Kjo skemë digjte vetëm koalicionin “Poli i Lirisë”, më saktë Partinë Demokristiane, duke bërë që të shpëtojnë nga ky detyrim katër partitë e tjera, PAD, PSD, PDS dhe PAA. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti kërkoi që të zbatohet ligji, Kodi Zgjedhor, i cili parashikon kthimin e parave nga ana e partive që tashmë nuk janë parlamentare. KQZ u tërhoq për hartimin e një projektvendimi të ri, i cili do të hartohej mbi bazën e propozimit të paraqitur nga anëtari Varfi. Propozimi i tij u rrëzua nga shumica e KQZ-së, nga ana e 4 anëtarëve, Ristani, Zguri, Shtjefni dhe Osmanaj. Ndërsa anëtarët e majtë Varfi dhe Lazaj votuan pro. Në fuqi ka mbetur vendimi për kthimin e fondeve. PSD duhet të 5.136.667 lekë, PAA duhet të kthejë 2.644.556 lekë, PAD duhet të kthejë PAD  1.920.479 lekë, PDS 1.711.151 lekë dhe PDK shumën prej 1.315.153 lekësh. Shuma totale do t’u shpërndahet partive parlamentare mbi bazën e kësaj skeme të miratuar nga KQZ-ja. PD merr 6.182.174 lekë, PS 5.909.431 lekë, LSI merr 363.657 lekë. Pjesa tjetër ndahet në mënyrë të barabartë mes PDI-së, PR dhe PBDNJ-së duke përfituar secila nga 90.914 lekë.

Fondet që kthehen

PSD  5.136.667 lekë

PAA  2.644.556 lekë

PAD  1.920.479 lekë

PDS  1.711.151 lekë

PDK  1.315.153 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›