Serbia të mos bojkotojë nismat rajonale, integrimi është proces i pakushtëzuar

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Kryediplomati shqiptar, Ilir Meta është shprehur nga samiti i Dubrovnikut në Kroaci, se bashkëpunimi i vendeve të rajonit, është një hap i ri drejt normalizimit të marrëdhënieve në Ballkan dhe ecjen e përbashkët drejt integrimit në BE.
Ministri Meta komentoi pjesëmarrjen e Kosovës, duke theksuar se integrimi euroatlantik është rruga që garanton të ardhmen me prosperitet në BE. “Shqipëria si një vend themelues i Kartës së Adriatikut, dhe si një vend tashmë anëtar i NATO-s, së bashku edhe me Kroacinë, ka insistuar për përfshirjen e Kosovës në këtë Kartë shumë të rëndësishme, për integrimin euroatlantik të të gjithë rajonit tonë. Natyrisht na vjen keq për mos-pjesëmarrjen e Serbisë, dhe ne nuk shohim asnjë arsye, pasi integrimi euroatlantik është rruga që garanton jo vetëm stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, por edhe të ardhmen e tij me prosperitet në Bashkimin Evropian”, u shpreh zëvendëskryeministri.
Duke dënuar qëndrimin bojkotues të Serbisë, Meta tha se gjithë përfshirja është një parim i domosdoshëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. “Integrimi evropian i çdo vendi, përfshirë edhe Serbinë, është një proces që kushtëzon bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, me të gjithë vendet e rajonit, dhe ne shpresojmë që në të ardhmen, askush të mos mungojë. Nëse përpara disa viteve, kur kjo Kartë u themelua, ishin vetëm 3 vende, sot janë 5, dhe shpresojmë që në një të ardhme të afërt, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të jenë jo vetëm anëtare të Kartës së Adriatikut, por shpresojmë, dëshirojmë dhe do bëjmë gjithçka që ne mundemi, që të jenë edhe anëtare të NATO-s”- deklaroi ndër të tjera, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, në samitin rajonal të Dubrovnikut.